Del dokumenti i sigurimit: A ka qenë Visar Zhiti spiun i të burgosurve? (FOTO LAJM)

Prej disa ditësh gëlon në media një debat në distancë mes Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe të ngarkuarit me punë të Shqipërisë në Vatikan, poetit Visar Zhiti.

Pak ditë më parë, Presidenti Nishani publikoi disa mesazhe ku thuheshin se Visar Zhiti kishte bashkëpunuar me sigurimin e shtetit duke spiunuar të burgosurit në Spaç duke shkaktuar reagimin e fortë të këtij të fundit në një intervistë të ditës së sotme.

Ndërkohë, vetëm para pak minutash, Agron Tufa, kreu i Institutit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit publikoi një dokument të sigurimit të shtetit ku theksohej se ishte tentuar rekrutimi i Visar Zhitit, por ai nuk kishte pranuar.

Postimi i plotë i Tufës


Pa hyrë në natyrën e ndërsjelltë të replikave midis Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani dhe poetit të njohur Visar Zhiti, që është dhe një ish-i dënuar politik i regjimit totalitar të Enver Hoxhës, mendoj, se deklarata e Presidentit për Zhitin - "...Ka qenë spiun në burgun e Spaçit", - është një deklaratë e nxituar, e papërgjegjshme dhe mjaft e dëmshme për këto arsye:

1. Kreu i shtetit, Presidenti, nuk duhet të transmetojë në publik, se ç'thonë thashathemexhinjtë, pa qenë i sigurtë, me fakt të dokumentuar. Kush mund t'ia refuzonte të drejtën kreut të shtetit ta shihte dosjen e Zhitit, meqë Autoriteti i Dosjeve ka filluar punën e hapjes së tyre? Z. President duhet të jetë zëdhënës i fakteve dhe jo i shpifjeve.

2. Edhe sikur, fjala vjen, hipotetikisht, poeti Visar Zhiti të kishte qenë spiun, ka një logjikë, të përfshirë në të gjitha të drejtat ndërkombëtare që thotë: "Çdo dëshmi, çdo akt, çdo pohim i personave që gjenden robër, pengje lufte, të arrestuar dhe në tortura, nuk merret parasysh". Dhe Visar Zhiti ka qenë nën këtë presion, si çdo i burgosur tjetër, përballë bishave më çnjerëzore.

3. Por për fat të mirë, për dinjitetin e tij dhe të tjerëve që vuajtën ferrin e burgjeve të komunizmit, Visar Zhiti ka bërë të kundërtën: ka firmosur një deklaratë, që nuk pranon, që refuzon të vihet në shërbim spiunimesh. Këtë e di mirë unë e jo ndofarë shpifësi me iniciale P.V, pasi z. Zhiti ka qenë pjesë e Këshillit Shkencor të ISKK dhe na është dashur të kontrollojmë, sipas ligjit, pastërtinë e figurave.

Pafajësia e z. Zhiti do të bëhet e qartë dhe publike shumë shpejt, në një reagim institucional, zyrtar.

Me presidentin e Republikës, z. Nishani kemi pasur gjatë këtyre viteve një sërë bashkëpunimesh të suksesshme dhe me vlerë të madhe për kujtesën dhe krimet e diktaturës, për nderimin e tyre me një sërë medaljesh, për çka i jemi sinqerisht mirënjohës. Por ndjej keqardhje të thellë për deklaratën e tij të fundit, siç e thashë më sipër, të nxituar, të papërgjegjshme dhe thellësisht të dëmshme për personin që atakon dhe për ata mijëra burra, të vdekur e të mbijetuar nga diktatura gjakatare komuniste.
Shtuar më 23/03/2017, ora 15:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori