Maqedonia e Veriut planifikon të hapë kufijtë për vendet e rajonit

Komisioni për Sëmundje Infektive në Maqedoninë e Veriut pritet që gjatë fundjavës të diskutojë për heqjen e masave kufizuese në kufi, për shtetet e rajonit.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, deklaroi se lehtësimi nënkupton edhe heqjen e testeve të detyrueshme për Kosovën, Malin e Zi, Bosnjën dhe Serbinë.

Rekomandimi i komisionit duhet të miratohet në Qeveri, ndërsa lëvizja e lirë për shtetasit e vendeve fqinje në Maqedoni pritet nga e hëna e ardhshme.

Disa javë më parë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi masën që shtetasve të Kosovës, Malit të Zi, Bosnjës dhe Serbisë, t’u kërkohet test negativ për COVID-19 gjatë hyrjes në vend.

Kujtojmë se edhe Kosova e vendosi të njëjtën masë për shtetasit e Maqedonisë së Veriut.


Shtuar 23.07.2020 10:34