Kërcënon Rusia: Zhdukim nga harta Ukrainën, Poloninë dhe gjithë Europën

Teksa lufta në Ukrainë po vijon në muajin e katërt, kërcënimet nga ana e Moskës janë të vazhdueshme.

Rasti më i fundit është ai i kreut të Dumës, dhomës së ulët të parlamentit rus, i cili paralajmëron se Rusia mund të zhdukë nga harta Ukrainën, Poloninë dhe gjithë Europën.

Përmes një deklarate në Telegram, të vetmin rrjet social që u shërben si dritare e tyre për publikun perëndimor, Vjaçesllav Volodin lëshoi kërcënimin e ashpër në përgjigje të një deklarate të eurodeputetit polak Radoslav Sikorski.

Duke folur në një televizion ukrainas, Sikorski që ka qenë edhe ministër i jashtëm i Polonisë tha se perëndimi duhet t’i japë raketa bërthamore Ukrainës. Sipas tij, kjo justifikohet me faktin se Rusia ka shkelur Marrëveshjen e Sigurisë së Budapestit, të 1994-ës, me sulmin në Ukrainë.

Sikorski thotë se sipas marrëveshjes së 28 viteve më parë, Ukraina dorëzoi arsenalin bërthamor pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.