“Na ndihmoni, nuk duam të vdesim”, aktivistja publikon audiot tronditëse para tragjedisë në Greqi

Detaje të reja dalin në lidhje me mbytjen e anijes në brigjet greke në Pylos në afërsi të Kallamatës, ku kanë mbetur të vdekur 79 persona, 104 janë shpëtuar.
Sakaq autoritetet bëjnë fjalë se shifrat reale të viktimave janë shumë herë më të larta, pasi në anijen e peshkimi dyshohet se ndodheshin rreth 700 persona.

Aktivistja Nawal Sufi duket se ka qenë personi i parë që ka kontaktuar autoritetet në lidhje me anijen që rrezikonte të fundosej në Pylos. Aktivistja ka folur me emigrantët që ishin në anije, pak para tragjedisë.

Ajo ishte personi i parë që kontaktoi anijen e peshkimit pak para aksidentit fatal. Aktivistja ka publikuar audiot nga biseda me emigrantët.
Sipas saj aksidenti është shkaktuar pasi një anije e madhe ishte afruar për të ndihmuar emigrantët dhe po i hidhte shishe me ujë. Pas kësaj është shkaktuar një panik që ka çuar në fundosjen fatale.

Regjistrimet janë bërë nga ora 01:25 deri në 01:52 të mëngjesit të së mërkurës.

Audio numër 1

Aktivistja: Gjithçka do të jetë mirë, mos shkoni majtas apo djathtas, prisni atje derisa të vijë ndihma.

Pasagjeri: Nuk duam që anija të përmbyset.

Aktivistja: Anija do fillojë të fusë ujë, por kujdes nëse shkoni të gjithë në një vend, anija do të përmbyset.

Audio numër 2

Në dokumentin e dytë audio, një nga refugjatët i thotë aktivistes se një nga bashkëudhëtarët e tij po flet për njerëz të vdekur.

Refugjati: Një burrë nga anija ime, thotë se kanë vdekur 6 persona.

Aktivistja: 6 personat janë të moshuar apo foshnje?

Refugjati: Nuk e di.

Aktivistja: Mirë. Oh Zoti i Madh. Më lejoni të flas me guvernatorin. Ata duhet të qetësohen, jo të shpejtojnë sepse varka do të ngadalësohet. Unë dua nga ju të më njoftoni se çfarë po ndodh. Më dërgoni një mesazh ose më telefononi. Vetëm një ose dy ose tre do të marrin jelekët e shpëtimit dhe të gjithë të tjerët do të qëndrojnë në vendet e tyre. A më kuptove; Unë jam e sigurt se ata do t’ju gjejnë dhe do t’ju shpëtojnë. Jini të durueshëm, kjo nuk do të ndodhë menjëherë, por ata do të vijnë.

Anija e peshkimit thuhet se u nis bosh nga Egjipti dhe mori emigrantë nga Tobruku i Libisë. Familjarët e personave në bord po mbërrijnë vazhdimisht në portin e Kallamatës duke kërkuar me ankth njerëzit e tyre që ndodheshin në anijen e peshkimit, raporton albeu.com.

Postimi i aktivistes në Facebook

Ditën e 13 qershorit 2023, mora një telefonatë nga një varkë me 750 persona që ishin larguar nga Libia, nga Tobruku. Njerëzit në bord bënin thirrje për ndihmë. Së pari më më kontaktoi një grua. Ajo ishte një vajzë 20-vjeçare nga Siria, nga qyteti Daraa. Ajo ishte 20 vjeçe dhe kishte mbetur e bllokuar në hambar me gra dhe fëmijë të tjerë. Të gjitha telefonatat që mora gjatë ditës ishin për emergjenca në bord. Ata raportuan gjashtë persona të vdekur në varkë, gjashtë trupa, përfshirë një djalë 16-vjeçar dhe njerëz të tjerë që u sëmurën.

Personi me të cilin po flisja më tregoi për një anije që iu afrua anijes së tyre dhe e lidhi me dy litarë. Një litar lidhej me pjesën e sipërme të varkës dhe tjetri me pjesën e përparme. Në momentin që varkat u lidhën ata filluan t’i hidhnin emigrantëve shishe uji. Ata hidhnin shishe uji çdo pesë minuta dhe kjo shkaktoi panik në anije dhe për pasojë solli rrezikun e mbytjes së anijes në atë moment. Ajo që mund të them është se gjatë gjithë ditës ata nuk shprehën kurrë dëshirën për të vazhduar derisa të arrinin në Itali. Njerëzit që më kontaktuan nuk thanë kurrë se nuk duan të shkojnë në Greqi, përkundrazi, kërkonin ndihmë duke thënë se ndoshta ajo ishte nata e tyre e fundit./albeu.com/