"Çipuri", "buzderri" dhe "Mond fshatari", banda e Gaxhait që rivalizonte Zani Çaushin

Armando Sulejmani ishte shënjestra e atentatit të djeshëm ku mbetën dy të vdekur në Vlorë.

I mbante pseudonimin "Çipuri" në qytet dhe njihet si një ndër pjestarët kryesorë të bandës së Gazmir Brakës ose "Gaxhait" në Vlorë.

42-vjeçari është akuzuar për shumë vrasje bashkë me disa anëtarë të tjerë të grupit. Gjatë trazirave të vitit 1997, grupi i “Gaxhait” ushtronte aktivitet kriminal në qytetin bregdetar të Vlorës bashkë me dy grupe të tjera, grupin e “Xhelitajve” në lagjen “Çentrale” dhe grupin e Zani Çaushit në lagjen “Çole”.

Aktiviteti i bandave

Në qytetin e Vlorës në vitin 1997 filluan të ushtrojnë aktivitetin e tyre kriminal tre grupe: grupi i Xhelitajve në lagjen “Çentrale”, grupi i Zanit në lagjen “Çole”, si dhe grupi i Gaxhait.

Gjatë muajit mars, këto grupe jo vetëm që ishin spontane në organizim, por nuk kishin ende ndonjë konflikt me njëri-tjetrin. Ata u përqendruan kryesisht në ruajtjen, që, sipas tyre, do t’i bënin qytetit nga forcat qeveritare të asaj kohe.

Gjatë veprimtarisë së mëtejshme të këtyre grupeve, filluan të viheshin re aktivitetet e para të tyre kriminale për t’u konsoliduar më pas si banda të armatosura të mirorganizuara dhe me plane të qarta veprimi.

Dhe sipas të gjitha dëshmive të marra gjatë gjykimit të anëtarëve të bandave momenti i krijimit të këtyre grupeve të armatosura përcaktohet më së miri nga fundi i muajit mars 1997.

Dëshmitarët kanë shpjeguar se si grupi i drejtuar nga Gazmir Brakaj njihej në Cerkovinë si banda e Gaxhait dhe se jetonin së bashku në mënyrë të organizuar në fshatin Cerkovinë.

Gazmir Brakaj, së bashku me një grup shokësh nga qyteti i Vlorës, por dhe nga qytete të tjera, ndër ta dhe mjaft persona tashmë të vrarë, krijuan bandën që më pas do të njihej si banda e Gaxhait.

Në funksion të organizimit të kësaj bande të armatosur, sipas prokurorëve në atë kohë shërbyen dhe faktet që duke pasur si qendër fshatin Cerkovinë anëtarët e bandës nuk kryenin asnjëherë veprimtari kriminale në atë fshat.

Nga deklarimet e banorëve të fshatit,rezulton se Gaxhai, së bashku me të pandehurit e tjerë, për të krijuar idenë e një grupi të organizuar që mbronte zonën, herë pas here ndihmonte me para njerëzit e fshatit.

Mjaft shtetas që kishin konflikte me persona të ndryshëm në Vlorë shkonin te Gaxhai në Cerkovinë për t’ua zgjidhur problemet e tyre.

Disa pjestar të bandës
1- Gazmir Brakaj (Gaxhai)

2- Armando Sulejmani (Çipuri)

3- Sokol Sinomati (Buzderri)

4- Edmond Leskaj (Mond fshatari)

5- Gazmend Nebiu
Shtuar më 18/02/2019, ora 20:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori