A duhet t’a shkarkojë Rama-Lefter Allën pas publikimit të videos duke konsumuar lëndë narkotike?

Ditën e sotme në media është publikuar me shpejtësi të madhe, videoja ku kryebashkiaku i Bulqizës, një ndër bashkitë më të varfëra në Shqipëri, konsumon kokainë në një lokal.

Videoja e publikuar nga gazetari Artan Hoxha në Abc news, ka shkaktuar reagime të ashpra, nga qytetarët dhe nga kundërshtarët politikë të Lefter Allës.

“Kemi të bëjmë me një rast që është shumë i rëndë. Kjo konfirmon akuzat e PD që kërkoi të fusë me ligj testin për narkotikët për funksionarët e lartë.

Është një rast që përbën problem. Kemi të bëjmë me njerëz që janë zgjedhur me votën e qytetarëve dhe marrin vendime për të mirën e qytetarëve.

Për mirëadminstrimin e zonës. Problematika tjetër është se si është e mundur që këta persona i shpëtojnë filtrit të përzgjedhjes nga ata që i kandidojnë.

Këtu është një ambient publik dhe bëhet fjalë për një moment diskreditues”, tha Artan Hoxha duke shpjeguar videon skandaloze të cilën mund ta shihni bashkëngjitur lajmit.

Pas kësaj videoje, nuk ka munguar as reagimi i kryebashkiakut në fjalë. Lefter Alla, me anë të një postimi në Facebook ka sulmuar PD duke deklaruar se videoja në fjalë është e montuar dhe duke mohuar se është përdorues i lëndëve narkotike, sic po aludohet në media prej disa orësh.

“Montazhi që po shfaqin sot është seria e radhës e telenovelës Babale, që si për turp shfaqet në TV me Ervin Salianjin, të njëjtin njeri që sajoi Babalen e që sot është dënuar me burg për mashtrimin e vet në atë telenovelë e do të përballet me gjykatën edhe për këtë rast. Nuk ka shanse që t’ju ecë ky shantazh”, shkroi Lefter Alla në Facebook.

Rikujtojmë se deri në këto momente nuk ka asnjë reagim nga maxhoranca, kah politik të cilit i përket edhe kryebashkiaku i Bulqizës.

Të shumtë janë qytetarët të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e Allës, ndërkohë ende nuk dihet nëse vendimi i kryeministrit Rama për këtë skandal.

Do t’a shkarkojë nga pozicioni i rëndësishëm që mban apo do t’a mbrojë duke sulmuar sërish opozitën duke mos marrë përgjegjësi për njerëzit të cilët i ka propozuar në krye të bashkive në Shqipëri?


Shtuar 22.01.2020 18:15