Çfarë i kapën dhe si u arrestua vëllai i Alketa Vejsiut (FOTO LAJM)

Policia ka arrestuar gjatë ditës së djeshmë një të ri nga Tirana, të cilit iu kapën mina me telekomandë në makinë.

Operacioni u krye nga efektivët e Lezhës, të cilët kapën në aksin Milot-Lezhë 29-vjeçarin Endrit Vejsiu, në makinën e të cilit u gjetën 4 mina me telekomandë, të cilat sipas policisë përdorën për atentate në makina.

Rezulton se Endrit Vejsiu është vëllai i prezantueses së njohur, Alketa Vejsiu. Ajo e ka prezantuar edhe më parë vëllain e saj gjatë intervistave në media.

Arrestimin e të riut e bëri të ditur në një deklaratë për mediat, kreu i policisë së Lezhës Ferdinand Mara.

“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditje e veprimtarisë kriminale, gjatë orëve të natës, kanë finalizuar operacionin e koduar "Telekomanda".

Si rezultat, u bë i mundur kapja e shtetasit Endrit Vejsiu, 29 vjeç, nga Tirana, pasi në aksin rrugor Milot – Lezhë, në kryqëzimin e Shënkollit, në mjetin e tij tip ‘Opel’ në një gomë rezervë në bagazh, u gjetën të fshehura 4 mina me telekomandë.

Ato ishin të paketuara me nga dy cilindra materiali të ngurtë të mbështjellë me natriban, të dyshuara lëndë plasëse e llojit TNT. Gjithashtu u gjetën edhe rreth 3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, e paketuar gati për shitje. Arrestimi i Vejsiut u bë për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe ‘Trafikim i lëndëve plasëse”, tha Drejtori i Policisë Vendore Lezhë.
Shtuar më 01/10/2018, ora 10:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori