Rikthehen vizat? Shengeni: Sqarim për lëvizjet e shqiptarëve në BE pas 2021-it

Kohët e fundit, informacioni se BE po rikthen vizën Shengen për qytetarët e disa vendeve të botës, në veçanti për shqiptarët, ka qarkulluar në mediat online.

Faqja e specializuar e udhëtimeve në zonën Shengen, si dhe e dokumenteve dhe rregullave që kërkohen prej saj, “SchengenVisaInfo.com”, ka bërë një sqarim të hollësishëm për shqiptarët, si më poshtë:

Ideja e një regjimi të rivendosur të vizave për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, ka marrë shumë kritika midis qytetarëve, politikanëve dhe aktivistëve të këtyre vendeve ndaj qeverisë së tyre dhe organeve të BE-së, gjithashtu.

Në Shqipëri, buja është shkaktuar nga ish-Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili gjithashtu ka udhëhequr dy herë partinë tani të dytë më të madhe në vend, Partinë Demokratike të Shqipërisë, për një total prej 17 vjetësh.

Ndërsa, ish-Kryeministri Berisha, ishte ndoshta i keqinformuar nga një numër i konsiderueshëm i mediave në internet që ndanin informacione mbi skemën ETIAS, e cila në përgjithësi ishte false dhe mashtruese.

“Shqiptarët humbën arritjet e tyre. Miq, Bashkimi Evropian ka rivendosur vizat për shqiptarët. Shqiptarët janë të vetmit në Ballkan, për të cilët një vizë e marrë nga një vend i BE nuk do të jetë e vlefshme për vende të tjera të Shengenit, por vetëm për vendin për të cilin ata morën vizën, ” – shkroi ish-Kryeministri Berisha në mëngjesin e 5 tetorit, në faqen e tij zyrtare në Facebook, e cila ndiqet nga mbi një milion njerëz.

Më tej, Berisha renditi disa arsye, duke fajësuar qeverinë aktuale për atë që ai e quajti “një dënim të tmerrshëm për shqiptarët”.

Pretendimet e Berishës janë hedhur poshtë menjëherë nga Besart Bajrami, themeluesi i SchengenVisaInfo.com, i cili gjithashtu vëren se artikulli i lajmeve që ka qarkulluar në mediat shqiptare në lidhje me ETIAS, nuk është vetëm një formë e “marketingut” nga një kompani e veçantë, por gjithashtu përmban informacion plotësisht të pavërtetë.

“Është për të ardhur keq që gazetarët profesionistë ‘nuk i verifikojnë informacionet para se t’i bëjnë ato publike,” tha ai duke shpjeguar se është e pavërtetë që ETIAS do të bëhet e detyrueshme në 2021, por në vend të kësaj mund të vonohet në fund të 2022.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri gjithashtu ka reaguar ndaj këtij lajmi të rremë, duke ftuar gazetarët dhe qytetarët të mësojnë më shumë rreth skemës.

“Pas disa dezinformatave që qarkullojnë rreth Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), ne ju ftojmë të mësoni më shumë rreth asaj që përmban ETIAS”, – shkroi delegacioni në Twitter, duke publikuar më shumë informacion mbi skemën.

Gent Cakaj, Ministri i Jashtëm në detyrë i Republikës së Shqipërisë gjithashtu ka hedhur poshtë këto pretendime, duke siguruar shqiptarët se nuk do të ketë kthim të vizave për ta dhe ata do të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm, pa ndonjë pengesë në të gjithë Bashkimin Evropian.

“Çdo përpjekje për të interpretuar zbatimin e sistemit ETIAS si një kthim i vizave për Shqipërinë, ose dështimi i Shqipërisë në rrugën evropiane është thjesht i pasaktë,” tha Cakaj.

A po rikthen BE-ja vizat për shqiptarët?

BE nuk po kthen kërkesën për të marrë një vizë për të hyrë në Zonën Shengen për shqiptarët. Në fakt, BE nuk po praktikon kërkesën e aplikimit për vizë për shtetasit e ndonjë prej vendeve që kanë një regjim pa viza, me bllokun.

Ajo që Berisha dhe shumë media online e quajnë vizë, është në të vërtetë një autorizim udhëtimi i quajtur Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).

ETIAS nuk është vizë. Skema është një sistem elektronik që në të ardhmen do të mbajë gjurmët e vizitorëve nga vendet që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Shengen.

Të gjithë udhëtarët nga vendet pa viza do të duhet të marrin një ETIAS, përfshirë shqiptarët, amerikanët, kanadezët, etj. Në fakt, vendet e tjera kanë skema të ngjashme, të cilat ata i përdorin prej vitesh, dmth. SH.B.A. ka sistemin elektronik për Autorizimin e Udhëtimit (ESTA), për të cilin shtetasit e 39 vendeve të botës duhet të aplikojnë në mënyrë që të hyjnë në SHBA, pa viza, për qëllime turizmi dhe biznesi, përfshirë edhe shtetasit e 26 vendeve të Shengenit.

Kërkesa e ETIAS do të zbatohet edhe për britanikët, të cilët deri më tani kanë qenë shtetas të BE, por nuk do të jenë më pas 31 dhjetorit. ETIAS do të bëhet e detyrueshme më 2022, dhe jo më 2021 siç u pretendua nga Berisha dhe disa “media online”, që i janë referuar, ose anasjelltas.

Në mars të këtij viti, një zyrtar i Komisionit Evropian konfirmoi për “SchengenVisaInfo.com” se data kur ETIAS të bëhet efektive dhe ajo që të bëhet e detyrueshme për pothuajse çdo udhëtar pa viza, janë dy data të ndryshme.

Që do të thotë se skema do të bëhet efektive në 2021, por për gjashtë muajt e parë do të jetë fakultative, dhe në gjashtë muajt në vijim do të jetë një periudhë faljeje gjatë së cilës udhëtarët do të paralajmërohen të marrin ETIAS para se të udhëtojnë në BE herë tjetër. Të dy periudhat mund të zgjaten me gjashtë muaj shtesë.

Ta themi thjesht, pothuajse gjithçka që tha Berisha në lidhje me ETIAS është e pavërtetë, që nga klasifikimi i kësaj kërkese si vizë deri në datën kur ajo hyn në fuqi.

“SchengenVisaInfo.com” thotë se vazhdimisht ka shpjeguar të gjitha informatat e pasakta.


Shtuar 7.10.2020 18:46