13 të infektuar në orët e fundit, Shkodra futet në karantinë

Bashkia e Shkodrës merr masa shtesë në kuadër të emergjencës së koronavirusit, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit, u konfirmuan 13 raste pozitive, teksa numri total i të prekurve të konfirmuar ka shkuar në 70.

Mes pikave të vendimit është përcaktimi i një grafiku për tregtarët, të cilët do të lejohen të punojnë, një ditë një pjesë e një ditë pjesa tjetër në markatën e Rusit.

Në vendimin “Për marrjen e masave shtesë për kufizimin, monitorimin dhe kontrollin e lëvizjeve të autorizuara të të gjithë qytetarëve në qytetin e Shkodrës”, njoftohen të gjithë banorët:

-Marrjen e masave shtesë për kufizimin, monitorimin dhe kontrollin e lëvizjeve të autorizuara të të gjithë qytetarëve në qytetin e Shkodrës dhe në Njësitë Administrative:

Në tregun pranë Merkatës së Rusit.

Duke filluar që nesër, datë 14.04.2020, në treg do të tregtojnë sipas radhës më poshtë:

Një ditë tregtarët që kanë kontratë për hapësirë tregtimit të shënuar me numër çift dhe ditën tjetër tregtarët që kanë kontratë për hapësirë tregtimit të shënuar me numër tek. U kërkohet të gjithë tregtareve të mos ekspozojnë mallrat dhe produktet ushqimore dhe industriale jashtë dyqaneve, në hapësirën publike.

Në tregun Zdrale

Ndalohet tregtimi dhe hapja e tregut për një periudhë dy – javore, për subjektet që shesin me pakicë dhe në shumicë në këtë treg. Kërkohet lirimi i hapësirës publike për një periudhë dy javore.

Të gjithë subjekteve tregtare në Shkodër u kërkohet:

-Respektimi i masave higjeno-sanitare të shitjes së produkteve ushqimore dhe të tjera në ambientet e tregtimit.

-Marrja e mbrojtëse shtesë për punonjësit që shërbejnë për klientët.

-Përmirësimi i vijëzimit dhe sinjalistikës për mbajtjen e radhës dhe distancës së duhur fizike orientuese për klientët.

-Ndalohet ekspozimi i produkteve ushqimore dhe industriale jashtë dyqaneve, në hapësirën publike.

– Të gjitha subjektet, bare dhe restorante, aktualisht të mbyllura në respektim të masave kufizuese, u kërkohet që sot, brenda ditës, të lirojnë hapësirën publike në përdorim, të largojnë të gjithë karriget dhe mjetet të tjera.

-Të gjithë banorëve të Bashkisë Shkodër u kërkohet marrja e masave shtesë për respektimin e distancës fizike, marrjen e masave shtesë për mbrojtjen vetjake dhe të familjes me maska dhe doreza gjatë lëvizjes së autorizuar për kryerjen e shërbimeve për familjen.

– Të gjithë banorëve u kërkohet të pajisen me autorizimin përkatës dhe vetëm për të kryer shërbimet e blerjet e domosdoshme për familjen.

– Në rast mos zbatimi të këtij vendimi Bashkia Shkodër do të veprojë me masat adminstrative përkatëse.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë!


Shtuar 13.04.2020 15:23