U kapën “mat” në shtëpitë e barit në Vlorë e Selenice, arrest me burg për pronarin e vilës, vendimi për 4 elektriçistët

Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për Dritan Koçiraj, arrestuar dy ditë më parë në fshatin Kropisht, i cili dyshohet si pronar i shtëpisë së barit në këtë fshat.

Arrest me burg është vendosur edhe për Ledjon Zahaj autori i plagosjes  së Dëfrim Pashajt në lagjen ’10 korriku’ në Vlorë.

Gjithçka nisi pasi Zahaj i kërkoi llogari 40 vjeçarit përse po punonte tokën në afërsi të vilës luksoze të kunatit të tij, Lorenc Xhaferrit që më pas rezultoi se ishte e mbushur me bimë narkotike.

Ndërkohë për 4 punonjësit e OSHEE është vendosur masa arrest shtëpie.

Në kërkim për këtë rast janë edhe dy shtetas të tjerë të dyshuar si pronarët e banesave ku ushtrohej aktiviteti kriminal.

Kujtojmë se në kuadër të operacionit “Indoors” ditën e premte, 10 shkurt,  u arrestuan 6 persona dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim.

Në fshatin Kropishtë, u arrestuan shtetasit Dritan Koçiraj, Niko Dhima, Florjan Çaushaj dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Përparim Koçiraj, ndërsa në lagjen “10 Korriku”, u arrestuan në flagrancë shtetasit Ledjon Zahaj, Edmond Begaj dhe Gentjan Metushi si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Lorenc Xhaferri.

Policia sekuestroi 11 kilogramë kanabis në formë boçeje, 534 bimë narkotike, 156 llamba, 123 reflektorë, 11 ventilatorë, 4 aspiratorë, 7 kondicionerë dhe sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.

/albeu.com/


Shtuar 12.02.2023 13:41