Sherri që gati u kthye në përleshje fizike, dy vëllezërit u prenë rrugën prokurorit të SPAK dhe anëtarit të BKH, Rrumbullaku në dijeni

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur tre ditë më parë kur një prokuror i SPAK dhe një anëtar i Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në Elbasan për të mbledhur informacione lidhur me arrestimin e Arben Spahiut dhe Arsen Preçit.

Sipas “Panorama”,  teksa Prokurori i SPAK, Behar Dibra largohej bashkë me një Oficer të Policisë Gjyqësore të BKH dhe me shoferin e tyre në një makinë tip Honda, në afërsi të tunelit të Elbasanit, janë përballur me një makinë tjetër në të cilin lëviznin Orges Sina dhe Emirjan Sina, konkretisht 24 e 27 vjeç, lindur në Librazhd e banues në Durrës. Njëri prej tyre punon oficer sigurie i një firme private në Portin e Durrësit.

Konkretisht, në hyrje të tunelit, njëri prej personave ka fotografuar mjetin e prokurorit dhe OPGJ, ndërsa nga krahu tjetër i njëjti veprim është bërë dhe nga personat që udhëtonin në makinën Honda. Mësohet se mjeti i Orges dhe Emirjan Sina i kanë prerë rrugën makinës së prokurorit të SPAK duke i kërkuar llogari pse po i fotografonin.

Në këtë moment, debati ka agravuar duke shkuar deri në tentativë të përleshjes fizike, por që është shmangur kur njëri nga vëllezërit ka treguar dokumentin duke pretenduar se është punonjës i Policisë së Shtetit.

Në këto momente prokurori ka treguar gjithashtu dokumentin që tregon se është anëtar i SPAK.

Por kjo nuk i ka ulur tensionet mes palëve që kanë vijuar sherrin duke shkëmbyer fjalë e ofendime ndaj njëri-tjetrit.

Pas neutralizimit të situatës, prokurori mësohet se ka vënë në dijeni për incidentin e ndodhur auroritetet përkatëse dhe automjeti me të cilin lëviznin dy vëllezërit është vënë në kërkim nga Policia e Elbasanit, Durrësit dhe Tiranës.

Për ngjarjen mësohet se është vënë në dijeni edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Sipas Panorama, gjatë ndjekjes së makinës së dy vëllezërve, ata kanë thyer dhe një posto bllok të ngritur posacërisht në qytetin e Durrësit nga policia e qarkut duke shmangur shoqërimin e tyre.

Pas punës së bërë nga të tre drejtoritë vendore të Policisë, është bërë i mundur identifikimi dhe prangosja e dy vëllezërve Orges dhe Emirjan Sina, të cilët sot kanë dalë para gjykatës së Elbasanit dhe janë njohur me masën e “arrestit me burg”, kërkesë e bërë nga prokuroria e Elbasanit.

 


Shtuar 27.02.2023 12:23