Presidenti i Man City i përfshirë në blerjen e Milanit?

Raporte të shumta në Itali pretendojnë se kompania shtetërore e Abu Dhabit, Mubadala, është e përfshirë në blerjen e Milanit së bashku me kompaninë Investcorp.

Fondi me bazë në Bahrejn është në bisedime ekskluzive me Elliott Managment për një marrëveshje prej 1.18 miliardë eurosh, e cila mund të finalizohet deri në fund të muajit dhe të shpallet në fund të sezonit.

Kompania shtetërore e Abu Dhabit ka 20 për qind të aksioneve në Investcorp dhe drejtori i saj, Khaldoon al-Mubarak, është presidenti i Manchester City.

Mubadala ka 243 miliardë dollarë aktive nën menaxhim dhe, sipas Tuttomercatoweb, po shtyn të finalizojë marrëveshjen me Investcorp.

Periudha e ekskluzivitetit në negociatat mes Investcorp dhe Elliott përfundon në fund të muajit dhe sipas burimeve të shumta, të dy palët janë afër arritjes së një marrëveshjeje.

Nëse fondi me bazë në Bahrejn përfundon blerjen e klubit, kuqezinjtë mund të kenë një buxhet transferimi prej 300 milionë euro për verën e vitit 2022.

Ndërkohë, Milani është ende në garë për titull me dy pikë epërsi ndaj Interit të vendit të dytë. Megjithatë, Nerazzurrët do të dilnin në krye të tabelës nëse fitojnë sonte ndeshjen e tyre të mbetur kundër Bolognas.


Shtuar 27.04.2022 16:33