Doli vullnetar për të verifikuar firmat e Sali Berishës, PD sulmon ashpër Agron Shehajn

Nisma e deputetit demokrat Agron Shehaj për të verifikuar firmat e mbledhura nga ish-kryeministri Sali Berisha, është kritikuar ashpër nga PD dhe degët e tij.

PD e ka quajtur Shehajn të paaftë për të njohur bazën e partisë dhe se ai e bën këtë gjë për protagonizëm personal.

“Agron Shehaj dështoi të verifikojë firmat e demokratëve, sepse ai as nuk e njeh bazën e partisë, as nuk e respekton atë…”-njofton dega 5 dhe 7 e Partisë Demokratike.

DEKLARATË E PERBASHKËT E DEGËVE 5 DHE 7 TË PARTISË DEMOKRATIKE TIRANË:

Show mediatik i Agron Shehajt me demokratët konfirmoi se interesi i tij i vetëm është protagonizmi personal. Agron Shehaj dështoi të verifikojë firmat e demokratëve, sepse ai as nuk e njeh bazën e partisë, as nuk e respekton atë.

Si drejtues politik i degëve 5 dhe 7 në Tiranë, Agron Shehaj nuk ka bërë asnjë takim me demokratët që prej ditës që u zgjodh deputet. PD në degën 5 dhe 7 në Tiranë e kudo ka vendosmërinë për të mos lënë demokratët në baltë dhe të mos lejojë nëpërkëmbjen e dinjitetit të tyre.

Ne jemi në krah të demokratëve dhe interesit të Shqipërisë, me misionin e vetëm për rrëzimon e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e PD në pushtet. /albeu.com/