Biznesmeni: Porosita kontejnerë me banane, nuk di gjë për drogën (FOTO-LAJM)

Dritan Rrapaj, bashkëpronar i kompanisë “Rrapo”, për të cilën ishin adresuar tre kontejnerë me banane që u kapën në Portin e Barit në Malin e Zi pasi u gjet 250 kilogramë drogë ka pohuar për hetuesit se gjithçka në biznesin e tij e ka ushtruar në përputhje me ligjin.

Rrapaj ka shpjeguar se pak muaj më parë, pasi kishte siguruar gjithë bazën materiale që i nevojitej për të zhvilluar biznesin e tij, ka nisur të kërkojë vendin ku do të blinte bananet dhe ka përzgjedhur për këtë gjë Ekuadorin, ku kompania e këtij vendi i siguronte edhe transportin deri në portet shqiptare.

“Fillimisht bëra pagesën për dy kontejnerë, të cilët mbërritën në Portin e Durrësit. Me këtë sasi nisa punën dhe pasi më pëlqeu cilësia e frutave të blera, vendosa që të porosis edhe tre kontejnerë të tjerë. Kështu bëra një pjesë të pagesës edhe për tre kontejnerët e tjerë, ashtu siç kishim rënë dakord me kompaninë ekuadoriane dhe pasi të mbërrinte ngarkesa me banane do të bëja likuidimin. Nëse edhe ngarkesa e tre kontejnerëve me banane do të kishte pasur cilësi të mirë, do të porosisja edhe pjesën tjetër që u kisha kërkuar në fillim siguruesve dhe transportuesve të këtyre frutave. Unë nuk kam asnjë dijeni lidhur me drogën që mësova nga mediat se ishte kapur në një prej kontejnerëve me banane që kisha porositur për llogari të kompanisë sime. Nuk kam as dijeni dhe as lidhje me drogën, pasi transportimi i bananeve është marrë përsipër nga firma ekuadoriane dhe unë nuk kam si të jem i përzier me këtë gjë. Për gjithçka që po ju sqaroj disponoj dokumentacionin përkatës. Gjithë biznesi im është i ligjshëm dhe i dokumentuar”, mësohet të jetë shprehur 40-vjeçari Rrapaj.

Anija me 250 kilogramë kokainë u ndalua para pak ditësh nga autoritetet malajzeze të cilat kanë nisur hetimet. /albeu.com/
Shtuar më 07/06/2014, ora 11:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori