Basha kërkon mbështetjen e Gjermanisë për statusin (FOTO-LAJM)

Kryetari i Partisë Demokratike kërkoi sot mbështetjen e Gjermanisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Gjatë takimeve që Lulzim Basha pati me disa nga përfaqësuesit e shumicës parlamentare të CDU - CSU në Bundestag, ai mori mbështetjen se Gjermania do të mbështesë Shqipërinë në marrjen e statusit.


"Kryetari i Partisë Demokratike u prit në një takim të veçantë edhe nga Kryetari i Komisionit për çështjet e BE, në parlamentin gjerman, z. Gunther Kirchbaum. Gjatë bisedës, kryetari i opozitës falënderoi përfaqësuesit e shumicës parlamentare të CDU - CSU në Bundestag, për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në rrugën e integrimit europian të saj. Z. Basha theksoi se PD është e vendosur të mbështesë pa asnjë rezervë dhe pa kushtëzim integrimin europian të Shqipërisë, gjë që e ka dëshmuar gjatë gjithë këtyre muajve. Z. Basha kërkoi mbështetjen e Gjermanisë për një vendim pozitiv në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian për marrjen e statusit. Perpjekjet shumëvjeçare dhe reformat e ndërmarra bënë të mundur rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian, për tre vite me radhe. Ndonëse bllokimi absurd i miratimit të tre ligjeve nga ish - opozitës socialiste, e drejtuar nga z. Rama, u kthye në një pengesë dhe vonesë për çështjen e statusit. “Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë statusin." thuhet ne deklaraten e selise se PD-se.

Bashkëbiseduesit vlerësuan qëndrimin e kryetarit Basha dhe PD, për mbështetje të pakushtëzuar për integrimin europian të Shqipërisë si dhe punën e bërë nga PD, gjatë qeverisjes së vendit, për realizimin e reformave të rëndësishme që bënë të mundur rekomandimet pozitive për marrjen e statusit.

Duke iu referuar situatës aktuale, zyrtarët e lartë gjermanë theksuan se respektimi i shtetit ligjor dhe zbatimi i vendimeve të gjykatave, respektimi i institucioneve të pavarura dhe garantimi i hapësirës institucionale për opozitën si dhe lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit janë standarde europiane të panegociueshme.

“Me shqetësim po ndjekim edhe situatën, në raport me shkarkimet masive në administratën publike të nëpunësve të trajnuar, edhe me kontributin e taksapaguesve gjermanë dhe të BE” - theksuan bashkëbiseduesit gjermanë.
Në takime u diskutua për forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy partive simotra CDU dhe PD. /albeu.com/
Shtuar më 04/06/2014, ora 15:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori