“Nuk mund të dalim para syve të qytetarëve”, Pendarovski kundër rritjes së rrogave për funksionarët

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, është shprehur sot kundër rritjes së rrogave për funksionarët, duke shtuar se me këtë nuk mund t’i dilet përpara syve të qytetarëve.

“Qeveria duhet të bëjë gjithçka në fuqinë dhe kompetencën e saj dhe ka kompetencë që të sigurojë që pagat e zyrtarëve nga unë e deri te vetëqeverisja lokale të mbeten në nivelin që janë tani, duke ndryshuar koeficientët, duke ndryshuar bazë”, tha sot kryetari i shtetit Stevo Pendarovski, duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili mundëson rritje të pagave të zyrtarëve shtetërorë për 78 për qind.

Ai tha se shpreh keqardhje që shumë funksionarë nuk ndajnë pikëpamjen e tij.

“Këtu ka dy gjëra. Së pari duhet respektuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sepse mosbindja ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese është krim. Megjithatë, unë thirra edhe në deklaratën time të parë për këtë temë. Qeveria duhet të bëjë gjithçka që ka në kompetencë, që pagat e zyrtarëve që nga unë e deri te vetëqeverisja lokale të mbeten në nivelin që janë tani, duke ndryshuar koeficientët, duke ndryshuar bazën, përndryshe nuk mund të dalim para qytetarëve dhe t’u themi se në këtë situatë të vështirë kur i ngrijmë çmimet e produkteve bazë, po i rrisim pagat”, theksoi Pendarovski.

Gjykata Kushtetuese me vendimin për shfuqizimin e dy neneve të Ligjit për paga dhe kompensim të zyrtarëve, mundësoi rritjen e pagave të zyrtarëve shtetërorë për 78 për qind. Me vendim, përveç kryeministrit, presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe të gjithë zyrtarëve publikë, përfshihen edhe gjyqtarët e  kushtetueses./INA