Platini sulmon Infantinion: Të dorëzojë mandatin

Michel Platini i shpall luftë presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino. Ish kreu i UEFA, në një intervistë për revistën zvicerane “L’Illustre”, ka kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë së futbollit botëror nga posti i tij, të cilin ai thekson se e fitoi pas rrethanave të krijuara.

Një deklaratë të tillë Platini e bëri pas lajmeve të fundit të publikuara në medien zvicerane për një ndërhyrje të mundshme të Infantinos në disa hetime që po zhvilloheshin për të, teksa zhvilloi edhe një takim me Prokurorin e Përgjithshëm zviceran, Michael Lauber.

“Infantino dhe Lauber mendojnë se janë të paprekshëm dhe mbi ligjin,” -theksonte në intervistën e tij Platini, i cili u la jashtë gare për postin e presidentit të FIFA-s pas pezullimit nga të gjitha aktivitetet për shkak të një page prej 2 milionë frangash zvicërane të përfituara nga ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter.

Së fundmi është zbuluar se Infantino dhe Lauber kanë zhvilluar një sërë takimesh informale mes tyre, çka ngre dyshime për një lloj pakti mes FIFA-s dhe sistemit të drejtësisë.

“Besoj se Lauber është i ndërgjegjshëm që e ka kaluar vijën e kuqe. Për mendimin tim, Infantino duhet të dorëzojë mandatin e tij. Problemi është se ai u bë president i FIFA –s falë rrethanave të krijuara, si një oportunist, pa asnjë ligjshmëri të veçantë, kështu që do të bëjë ç’është e mundur për të mbajtur këtë post

Ky reagim i francezit Platini vjen pikërisht ditën kur Komitetit Gjyqësor i Asamblesë Federale në Zvicër do të marrë një vendim në lidhje me shkarkimin e prokurorit Lauber, pikërisht për shkak të takimeve informale me Infantinon.


Shtuar 14.05.2020 07:34