Kupa e Botës 2026 do të ketë 40 ndeshje më shumë

FIFA pritet ta miratojë zgjerimin e Kupës së Botës, duke e shtuar numrin e ndeshjeve për plus 40 nga botërori i radhës që do të mbahet në Amerikën Veriore më 2026.

Vendimi për ta rritur numrin e ndeshjeve nga 64 në 104 – e jo në 80 siç ishte planifikuar fillimisht për vitin 2026 – do të miratohet gjatë një takimi të shtëpisë së futbollit botëror në Kigali, Ruandë.

Shtimi i numrit të ndeshjes i ndihmon FIFA-s në ndjekjen e synimit për të arritur më shumë se 10 miliard të hyra, por edhe e zgjidh telashin me formatin e turneut që përbënte mbajtja e Botërorit në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

FIFA ishte pajtuar paraprakisht që Kupës së Botës t’i shtohen ekipet pjesëmarrëse, nga 32 në 48.

Në vend të 16 grupeve me nga tri ekipe, FIFA ka vendosur që Botërori t’i ketë 12 grupe me nga katër skuadra, sipas Sky Sports.

Numri i përgjithshëm i ditëve të pushimit, lirimit të lojtarëve dhe turneut, mbetet i njëjtë si në Botërorët e kaluar 2010, 2014 dhe 2018 – pra 56 ditë.

Dy ekipet e para në grup kalojnë në rrethin e 32 më të mirëve, bashkë me tetë ekipet me renditjen më të mirë si të tretat në grupet e tyre përkatëse.

Kjo nënkupton se ekipet që arrijnë në finale do të duhet t’i zhvillojnë tetë ndeshje, jo shtatë sikur finalistët e Katar 2022, Argjentina e Franca.

Finalja e Botërorit 2026 në Shtetet e Bashkuara është caktuar për të dielën e 19 korrikut 2026.


Shtuar 14.03.2023 14:43