Kurti i kërkoi Maqedonisë së Veriut të rrijë larg nga Serbia, Petkoviç: Beogradi, miku më i madh i Shkupit

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, e ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti që e bëri në Tetovë gjatë një tubimi që u organizua për vizitën e tij.

Kurti atje tha se Maqedonia e Veriut duhet të jetë më afër Kosovës, Shqipërisë e Bullgarisë dhe të qëndrojë sa më larg Serbisë.

Këtë Petkoviç e quajti “pafytyrësi dhe marrëzi e shumëfishtë”.

“Deklarata të tilla Kurti i bën duke u angazhuar hapur në destabilizimin e Maqedonisë së Veriut dhe nga Tetova, e cila në të kaluarën e afërt ishte në qendër të terrorizmit dhe separatizmit shqiptar, sulmon Beogradin, sepse Serbia është miku më konsekuent dhe më i sinqertë i Shkupit në rajon”, tha Petkoviç.

Ai bëri pretendimin e zakonshëm se Serbia është për ndërtimin e “urave të bashkëpunimit miqësor me të gjithë ata që kujdesen që rajoni të lërë përgjithmonë pas epokën e errët të ndarjeve dhe konflikteve ndëretnike dhe të hyjë në rrugën e zhvillimit dhe përparimit”.

Kurti dje në një vizitë jozyrtare në Tetovë iu drejtua me një thirrje pushtetit në Shkup.

“Aleanca veriatlantike NATO’ja, Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar janë platforma vlerore e cila na sjell mbrojtje e siguri sidomos në këtë kohë kur imperializmi rus e riktheu luftën në kontinentin tonë europian. Maqedonia e Veriut, sa më afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë e sa më larg Serbisë, e cila nuk po distancohet as nga Milosheviqi e as nga Putini – aq më afër ajo, aq më afër Maqedonia e Veriut do të jetë anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni i ynë i Ballkanit. E për këtë ne duhet ta ndihmojmë dhe duhet ta përkrahim Maqedoninë e Veriut”, tha Kurti./Express/


Shtuar 12.08.2023 20:35