Imam Shefqet Krasniqi dërgohet para gjykatës (FOTO LAJM)

Imam Shefqet Krasniqi
Pëlqej
UPDATE - Mediat raportojnë se imam Shefqet Krasniqi është dërguar përpara gjykatës.

Ai do të nxirret përpara Gjykatës Supreme të Kosovës.

Imami dyshohet për veprën penale kundër rendit kushtetues dhe për rrezikim të sigurisë së shtetit.

11:20 - Mediat raportojnë se imamët e arrestuar sot në mëngjes, aktualisht janë duke u intervistuar.

Arrestimi i tyre është bërë me arsyetimin se mund të kenë nxitur shkuarjen në luftëra të personave të ndryshëm, përçarje fetare ose mosdurim kombëtar.

Konfirmohet se policia ka bastisur shtëpitë e imamëve të arrestuar dhe ka konfiskuar çdo material që mund të shërbejë si provë.

Përmes një deklarate, Policia e Kosovës ka konfirmuar se imamët po merren në pyetje.

Në deklaratë i tërhiqet vëmendja opinionit publik që të mos i bashkohen organizatave terroriste të tilla si ISIS apo Al-Nusra, të shpallura të tilla ndërkombëtarisht, dhe tashmë edhe nga Republika e Kosovës.


10:28 - Policia po vazhdon ta bastisë shtëpinë e Fuad Ramiqit.

Sipas burimeve policore, Ramiqi është arrestuar sot rreth orës 05:00 jo në shtëpinë e tij, por në një tjetër banesë.

09:50 - Imami i Xhamisë së Madhe, Shefqet Krasniqi dhe Fuad Ramiqi po merren në pyetje nga policia.

Burime të Express, bëjnë me dije se Ramiqi, duke qenë se udhëheq një parti me baza fetare mund të ketë nxitur ekstremizëm fetar apo të rinj të ikin në luftëra jashtë shtetit.

09:27 - Mes 15 personave të arrestuar nën dyshimin për terrorizëm pesë janë imamë dhe një politikan.

Imamët e arrestuar janë Shefqet Krasniqi, Enis Rama, Ekrem Avdiu, Enes Goga dhe Mazllom Mazllomi, raporton Koha.net.

Ndërsa, është prangosur edhe Fuad Ramiqi, kryetar i LISBA.

Në pranga është vënë edhe një bashkëpunëtor i Lavdrim Muhaxherit nga Kaçaniku, me inicialet Sh.K.

Të gjithë të arrestuarit dyshohet se janë prangosur për veprën e terrorizmit dhe atë të "nxitjes së dhunës përmes fesë".


09:13 - Policia e Kosovës ka nisur një tjetër valë arrestimesh.

Siç raportojnë mediat kosovare, është arrestuar sërish imam Shefqet Krasniqi dhe imamë të tjerë nëpër rrethe të ndryshme të Kosovës.

Mësohet se arrestime ka patur edhe në rajonin e Mitrovicës.

Në këtë rajon është arrestuar Enis Rama, imam në xhaminë "Isa Beg" të Mitrovicës, gjithashtu kryeredaktor i televizionit "Peace TV".

Po ashtu, në arrest është vënë edhe Ekrem Avdiu nga Mitrovica, imam dhe ligjërues në xhaminë e lagjes Tavnik. /albeu.com/
Shtuar më 17/09/2014, ora 17:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori