Jep dorëheqjen kryeministrja e Moldavisë

Kryeministrja e Moldavisë Natalia Gavrilita ka dhënë dorëheqje vetëm një vit e gjysmë në mandatin e qeverisë së saj, gjë që ka shkaktuar automatikisht dorëheqjen e të gjithë kabinetit qeverisës.

Dorëheqja e saj vjen pasi vendi, një nga më të varfërit e Evropës, përballet me një krizë energjetike, ekonomike dhe sigurie të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës fqinje.

Menjëherë pas vendimit, presidentja e vendit, Maia Sandu, deklaroi se do të zhvillojë konsultime me partitë parlamentare dhe më pas do të propozojë një kandidat për postin e kryeministrit.

Pasi ta bëjë këtë, kandidati i ri i ka 14 ditë për t’i propozuar pralamentit formimin e një qeverie të re.

Duke njoftuar dorëheqjen e saj në një konferencë të qeverisë më 10 shkurt, kryeministrja vuri në dukje se gjatë 18 muajve të saj në detyrë, kishte qeverisur vendin në një krizë të vazhdueshme.

“Pavarësisht krizave të shumta me të cilat është përballur vendi, progresi ynë është vlerësuar shumë nga Bashkimi Evropian. Nëse qeveria do të kishte të njëjtën mbështetje nga vendi, siç e ka nga BE-ja, do të kishim mundur të ecnim përpara me reformat më shpejt”, tha Gavrilița.

“Po largohem nga udhëheqja e qeverisë me zemër të qetë”, deklaroi ajo.

“Qeveri e krizave”

Qeveria e Gavrilițas u thirr “qeveri e krizave” që në fillim, pasi u përball me një rritje dramatike të çmimeve të gazit rus që në tetor të vitit 2021, por edhe me pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës, i cili filloi më 24 shkurt 2022.

“Qeveria e saj arriti suksese të paplanifikuara, duke arritur ta mbajë Republikën e Moldavisë në këmbë pavarësisht krizave të paprecedentë, dhe ta afrojë atë me Bashkimin Evropian, por, në çështjet e planifikuara, sukseset janë më të vogla dhe të pasigurta”, komentoi analisti Nicolae Negru.

Më 3 mars 2022, Natalia Gavrilița, së bashku me presidenten Sandu dhe kryeparlamentarin Igor Grosu, nënshkruan aplikimin për anëtarësimin e Republikës së Moldavisë në Bashkimin Evropian, i shndërruar disa muaj më vonë në një vendim të liderëve evropianë me të cilin Republika Moldavia mori statusin e vendit kandidat pas anëtarësimit.

Por, reformat pro-evropiane të rekomanduara nga Komisioni Evropian kanë ecur me vështirësi në vend./REL