Dështimi për ta bindur edhe Emery ekspozon dyshimet për ambiciet e Newcastle

Një muaj pas marrjes në pronësi nga fondi i pasurisë sovrane të Arabisë Saudite që shkaktoi skena të festimeve të egra në stadiumin “St. James’ Park”, tifozët e skuadrës së Newcastlet janë ende duke pritur për prurjet e mëdha.

Pa fitore në Premier League pas dhjetë ndeshjeve dhe në pozitën e parafundit në tabelë me vetëm katër pikë, tashmë po ka dyshime dhe kanë filluar të bëhen pyetje për projektin e ri ambicioz të klubit. Trajneri aktual i Villarrealit, Unai Emery, e refuzoi mundësinë për t’u bërë trajner i Newcastlet këtë javë, pavarësisht se pati një takim zyrtar me drejtuesit e klubit dhe pa ofertën e majme. Emery është vetëm njëri prej emrave të njohur të trajnerëve që tashmë ka refuzuar mundësinë për ta drejtuar klubin anglez, ndonëse i vetmi deri më tani që ka pranuar publikisht një gjë të tillë. Ish-trajneri i Arsenalit thuhet se ishte i kujdesshëm për t’iu bashkuar projektit në fillimet e tij, pa një strukturë të qartë se si ta bëjnë pasurinë e tyre të re të shpaguhet në fushë. Sipas mediumeve angleze, thuhet se Newcastle është refuzuar edhe nga Zinedine Zidane e Antonio Conte, i cili ditë më parë mori drejtimin e Tottenhamit.

“Pavarësisht se sa zhurmë kishte rreth të ardhmes sime, unë Villarrealit i kam premtuar transparencë dhe besnikëri”, tha Emery, i cili ka kontratë me ekipin nga La Liga deri në vitin 2023.

Pas këtyre refuzimeve, krerët e Newcastlet tashmë i kanë kthyer sytë kah trajnerët në Angli. Ish-trajneri i Bournemouthit, Eddie Howe, pritet ta marrë drejtimin e Newcastlet pasi parimisht ka arritur marrëveshje dhe javën tjetër pritet ta firmosë kontratën deri në verën e vitit 2024.

Por ndryshimi i madh në stilin e lojës dhe përvojës midis Howet dhe Emeryt shërben vetëm për të theksuar mungesën e një plani të qartë. Guvernatori i Fondit të Investimeve Publike Saudite (PIF), Yassir Al-Rumayyan, është emëruar kryetari i ri i klubit. Por, ata nuk kanë drejtor sportiv dhe drejtori menaxhues Lee Charnley mbetet në postin e tij duke qenë një aleat kryesor i ish-pronarit jopopullor Mike Ashley. Trajneri i përkohshëm, Graeme Carr, do ta udhëheqë Newcastlen edhe në ndeshjen e tretë rresht, atë ndaj Brightonit të shtunën, pavarësisht paraqitjeve të zymta kundër Crystal Palacet dhe Chelseat, qëkur trajneri Steve Bruce u shkarkua dy javë më parë. Drejtoresha e Newcastlet, Amanda Staveley, deklaroi me guxim në ditët pas marrjes së klubit nga pronarët e rinj, se ambiciet janë të mëdha dhe shtoi se e sheh ekipin si kampion të Anglisë në dekadën e ardhshme. Staveley, e cila mori një pakicë të aksioneve në marrëveshjen prej 300 milionë funtesh, ka qenë fytyra publike e konsorciumit të mbështetur nga PIF-i. Megjithatë, ajo e ka parë me fytyrë të zymtë ekipin në javët e fundit dhe është ende në pritje të fitores së parë këtë sezon.

“Natyrisht se është shqetësuese që ende nuk kemi fitore, por ne po punojmë dhe jemi të angazhuar maksimalisht për ta nxjerrë ekipin nga kjo situatë”, ka thënë ajo.

Skuadra aktuale e Newcastlet nuk është qartësisht mjaft e mirë për të përmbushur ambiciet e reja të klubit, por një rishikim në afatin kalimtar të janarit jep shpresa deri diku. Me dhjetë ndeshje të tjera të ligës, që do të vijnë para se të hapet afati kalimtar i dimrit, përfshirë duelet me Liverpoolin, Manchester Cityn dhe Manchester Unitedin muajin e ardhshëm, Newcastle mund të jetë edhe më i dëshpëruar në janar. Shkaku i panikut, blerjet e Newcastlet në janar mund të jenë të fryra për ata lojtarë që dëshirojnë të jenë pjesë e klubit, që duhet të tentojnë ta shpëtojnë nga rënia në Championship. Mirëpo, kjo sërish mbetet një zgjidhje jashtëzakonisht afatshkurtër, që nuk ka asnjë garanci për të shmangur rënien nga Premier League. Chelsea, Manchester City dhe Paris Saint-Germaini shpesh përmenden si shabllonet që duhet t’i ndjekë Newcastle. Por, ata nuk duhej të shmangnin frikën e rënies nga kategoria në ditët e para të rritjes së tyre drejt elitës së futbollit evropian. Newcastle ka nevojë për një plan që mund të jetë efektiv në afat të shkurtër dhe të vendosë themelet për sukses afatgjatë në të njëjtën kohë. Mirëpo, për momentin duket se pronësia e re nuk e ka asnjërin prej tyre.


Shtuar 5.11.2021 22:39

Tags: