Rusia pretendon marrëveshje për evakuimin e ushtarëve të plagosur në Azovstal

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendon se ka arritur një marrëveshje me Ukrainën që ushtarët e plagosur të evakuohen nga fabrika e rrethuar e çelikut Azovstal në Mariupol.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti raporton se, sipas kushteve të marrëveshjes, ushtarët që aktualisht janë të bllokuar në fabrikën e çelikut do të dërgohen në një spital në territorin e kontrolluar nga Rusia.

Askush nga pala ukrainase nuk i ka konfirmuar deri më tani raportet.

Më herët ju treguam se si ushqimi dhe uji po bëhen gjithnjë e më të pakta në vend, ku qindra ushtarakë ukrainas po strehohen në bunkerë nën tokë, duke mbrojtur të vetmen bastion të mbetur ukrainas në qytetin port, i cili tani është nën kontrollin rus.