Vrau gruan me shkop druri, pëson infarkt i moshuari në Përmet

Autori i vrasjes se bashkëshortes në Përmet ka pësuar infarkt dhe është dërguar në spital në Gjirokastër. Mjekët pasi kanë konstatuar se i moshuari ishte në gjendje të rëndë, e kanë përcjellë menjëherë drejt Tiranës për ndihmë mjekësore më të specializuar.

Aktualisht ai ndodhet në reanimacionin e kardiologjisë në QSUT. Ai dyshohet se e ka dhunuar për vdekje me shkop druri bashkëshorten e tij.

Policia Gjirokastër informon se ‘rreth orës 06:30, të mëngjesit, shtetasja e cila punon si shërbyese në banesën e çiftit të të moshuarve, 82 vjeç dhe, 80 vjeçe, ka gjetur në banesën ku shërben, të pa jetë dhe me shenja dhune shtetasen, 80 vjeçe.

Menjëherë në vendngjarje, ka shkuar grupi hetimor dhe nga veprimet e para hetimore dyshohet se 80 vjeçarja është goditur me sende të forta (shkop druri), nga bashkëshorti i saj shtetasi, banues në fshatin Pëllumbarë.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Përmet, për veprime të mëtejshme procedurale shtetasi, i proceduar penalisht edhe më parë për veprën penale “Dhuna në familje”.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje’.


Shtuar 17.09.2023 20:03