Hyri mbrëmë në fushë dhe i mori fanellën Fernandezit, tifozi i vogël është shqiptar

Skuadra e Chelsea-t ka kaluar në çerekfinale të UEFA Champions League pasi mbrëmë eliminoi Borussia Dortmundin duke e mposhtur me rezultatin 2 me 0.

Një moment interesant ndodhi në fundin e ndeshjes, ku një tifoz u fut në fushë dhe shkoi te mesfushori argjentinas, Enzo Fernandez, transferimi rekord i bluve.

Mësohet se tifozi i vogël ishte shqiptar, emri i tij Brenden Mesi – dhe është tifoz i madh i skuadrës londineze. Po ashtu, është një tifoz i madh i fituesit të Kupës së Botës me Argjentinën (Enzo).

Djaloshi ka shumë foto me lojtarë të Chelsea-t dhe ëndrra e tij ishte që një ditë të futej në fushë për ta marrë një fanellë. Kujtojmë që mbrëmë golat për ekipin e Graham Potter i shënuan: Kai Havertz dhe Raheem Sterling.

Nuk është hera e parë që tifozët shqiptarë hyjnë në fushë për të takuar idhujt e tyre, por e veçanta e këtij rasti ishte që kemi të bëjmë me një tifoz të vogël, i cili mbrëmë bëri realitet ëndrrën e tij.

Kujtojmë se sot në mbrëmje do të zhvillohen dy ndeshjet e radhës për kualifikimin në çerekfinalet e Champions-it. Bayern-PSG, takimi i parë 1-0 për bavarezët dhe ndeshja e dytë Tottenham-Milan. Në ndeshjen e parë kuqezinjtë fituan 1-0.