Rama u hoqi taksën jahteve luksoze, Meta ia kthen ligjin në Kuvend

Presidenti Meta i ka kthyer një tjetër ligj Kryeministrit Rama.

Meta ka kthyer në Kuvend ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar për jahtet në vendin tonë.

Ligji parashikonte që të përjashtoheshin nga tatimi mbi vlerën e shtuar në import të jahteve dhe të mjeteve të tjera ujore që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi, jo më të vjetra se 20 vite.

Meta ka dhënë edhe arsyet për kthimin e këtij ligji, më konkretisht ai thekson se ky ligj:

Duke zgjeruar përjashtimet nga zbatimi i regjimit ligjor fiskal, rrezikon qëndrueshmërinë e vetë ligjit bazë nr. 92/2014, për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe krijon një precedent për një efekt të mëtejshëm zinxhir në shtimin e kërkesave të paargumentuara për aplikimin e këtij rregulli përjashtues;

Zgjerimi i rrethit të përjashtimeve të kësaj natyre ndikon potencialisht në uljen e të ardhurave tatimore nga tatimi mbi vlerën e shtuar;

Krijon një diferencim të trajtimit të mallrave të tjera të konsideruara luksi, apo kënaqësie, që jo vetëm i nënshtrohen tatimit mbi vlerën e shtuar, por dhe akcizës;

Krijon idenë e një përjashtimi me natyrë klientiste dhe preferenciale, sepse përjashton jahtet dhe mjeteve të tjera ujore që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi;

Është një veprim, i cili zvogëlon më tej bazën tatimore të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar;

Nuk është në harmoni me nevojat emergjente të vendit, si dhe me parashikimet e Institucioneve Financiare, të cilat raportojnë për përkeqësimin e situatës ekonomike në vendin tonë. /albeu.com/


Shtuar 8.06.2020 14:07