"Dita e Krenarisë", përkujtohen dëshmorët e Prishtinës (FOTO LAJM)

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me organizatën e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega Prishtinë, Shoqatën e Invalidëve të Luftës dhe Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve, kanë organizuar "Ditët e Krenarisë" për të përkujtuar dëshmorët e Komunës së Prishtinës të rënë në luftën e fundit në Kosovë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë homazhe në "Varrezat e Dëshmorëve", ndërsa me këtë rast tha se në këto ditë përjetojmë ndjenja të përzier të pikëllimit me krenarinë, pikëllimit për ata të afërm që i kanë humbur familjet ndërsa krenaria për fatin që kemi pasur që të kemi njerëz të tillë në shoqërinë tonë.

"Sot ne kemi nderin që të përkulemi para këtyre dëshmorëve dhe ajo që na mbetet më e pakta që mund të bëjmë është që të rregullojmë këto varreza të dëshmorëve. Para disa vitesh Ministria e Mjedisit ka marrë përsipër që ta bëjë projektin, megjithatë kjo punë ka ngecur. Ndoshta, sot është mirë që në këtë ditë të përkujtojmë se ka ende shumë punë për t’u bërë në bashkëpunim të Komunës së Prishtinës me Ministrinë e Mjedisit dhe Qeverinë në përgjithësi bashkërisht t’i rregullojmë sa më shpejt që është e mundshme varrezat e dëshmorëve", u shpreh Ahmeti.

Kreu i komunës së Prishtinës bëri homazhe dhe vendosi kurora lulesh edhe para shtatores së heroit Zahir Pajaziti. Me ketë rast, Ahmeti tha se Zahir Pajaziti ishte një prej pjesëtarëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, hapat e të cilit i kanë ndjekur edhe shumë të tjerë.

"Ne sot mund të ndihemi vetëm krenarë që gjendemi në sheshin “Zahir Pajaziti”, që kemi mundësi të nderojmë veprën e tij dhe të dëshmorëve të tjerë", tha Ahmeti, i cili gjithashtu mori pjesë edhe në tubimin përkujtimor dhe bëri homazhe edhe në “Varrezat e dëshmorëve dhe martirëve”, në fshatin Marec.

Të pranishëm në homazhe ishin edhe përfaqësues të lartë të skenës politike në Kosovë si kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, deputetë të kësaj lëvizje, si dhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci dhe drejtori i Drejtorisë së Administratës Komunale, Muhedin Nushi./albeu.com/
Shtuar më 18/04/2015, ora 13:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori