Shtyhen zgjedhjet në Veri të Kosovës pas tensioneve, kur pritet të mbahen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar se është marrë vendim për shtyrje të zgjedhjeve. Ajo ka thënë se zgjedhjet do të mbahen në muajin prill, ndërsa data e saktë do të bëhet publike nesër.

Osmani tha se për këtë vendim ka pasur konsensus të plotë mes partive politike dhe se është marrë parasysh edhe raporti i dërguar dje në Presidencë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, tha ajo një konferencë për media pas takimit.

Ajo ka shtuar se kishte kontaktuar Bashkimin Evropian për t’i kërkuar mbështetje për mbikëqyrjen e zgjedhjeve në veri, por thotë se BE-ja i kishte bërë të ditur se për shkak të afatit të shkurtër kohor, nuk do të kishin mundësi të marrin pjesë.

“Deri tani asnjë organizatë vendore nuk është regjistruar po ashtu. Pra, këto zgjedhje do të ishin pa vëzhgim ndërkombëtar apo edhe vendor”, shtoi Osmani.


Shtuar 10.12.2022 16:11