Adelina Ismaili flet hapur: Këngëtarët e Kosovës asnjëherë nuk fitojnë çmime në Shqipëri (FOTO LAJM)

Mbrëmjen e djeshme Adelina Ismaili ishte e ftuar në emisionin “Pressing” në televizionin “T7” për të rrëfyer më shumë detaje për jetën e saj. Këngëtarja ka treguar se si ka nisur i gjithë rrugëtimi në muzikë dhe gjithë vështirësitë që ka hasur gjatë kësaj kohe.

Adelina ka rrëfyer se këngëtaret e Kosovës e shihnin Shqipërinë si një mundësi tjetër për t’u përfshirë në muzikë, por ata asnjëherë nuk janë vlerësuar për punën e tyre. Ismaili ka treguar se në fillimet e saj muzika shqiptare nuk i pëlqente, sepse dukej si diçka e ftohtë, duke qenë se ishte e ndikuar nga opera dhe ajo se çfarë mësohej në shkollë. “Ne në Kosovë kishim një botë komplet tjetër. Ishte Mihrije Braha, Gili… në atë kohë kishte filluar të zhvillohej shumë muzika pop”, është shprehur Adelina.

Më tej ajo ka shtuar se këngëtaret e Kosovës nuk merrnin asnjëherë çmime në Shqipëri në festivalin e dhjetorit. “Nuk më kujtohet që ndokush nga Kosova të ketë marrë çmim. Deri vonë kemi besuar se ekzistonte një lloj marrëveshje e pashkruar që të mos fitonte asnjë kosovar festivalin e dhjetorit. Nuk na i kishte thënë dikush, thjesht është ditur, por nuk është diskutuar asnjëherë”, ka rrëfyer këngëtarja.

Ajo ka treguar se për një këngë atyre ju duhej të punonin për dy vite me radhë që të ishte në nivelin e duhur. Megjithatë vitet e fundit situata duket se ka ndryshuar, sepse këngëtarët e Kosovës vlerësohen po njësoj me ata që vijnë nga Shqipëria. Kujtojmë se pas një mungese disi të gjatë në muzikë Adelina është rikthyer me projekte të reja muzikore, ku më i fundit është ai në bashkëpunim me Rina Balaj, “Qikat”.
Shtuar më 24/08/2019, ora 14:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori