Ftesa e Ramës për bashkëpunim, reagon PD: Thirrje false!

“Kurrë nuk është vonë, thirrja ime për opozitën dhe drejtuesin e saj është të bashkohemi në të dyja frontet. Le të bëhemi njëherë shqiptarë, pa asnjë shtesë politike”

Pasi Kryeministri Edi Rama ftoi opozitën për bashkëpunim me betejën për përballimin e koronavirusit, vjen reagimi i Partisë Demokratike.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj force politike, Gazment Bardhi thotë se Edi Rama kërkon të fshihet pas thirrjeve false për bashkëpunim me opozitën për të mbuluar dështimin e tij.

Bardhi thotë se ai ka refuzuar që në fillim bashkëpunimin dhe ndihmën konstruktive të opozitës.

“Madje ka harxhuar energji dhe orë të tëra duke sulmuar opozitën me batuta ordinere dhe bajate, në vend që të fokusohet tek emergjenca. Ftesat janë false dhe bëhen vetëm për të mbuluar dështimin e tij, që këtë radhë është edhe më i madh dhe i dëmshëm se më parë”, shprehet Bardhi.

Mbrëmjen e sotme, teksa prezantoi paketën mbështetëse për emergjencën e koronavirusit, Kryeministri Edi Rama tha se i ka kërkuar Lulzim Bashës që të bashkojnë forcat e ekspertëve, qoftë në vijën e zjarrit, qoftë në vijën mbrojtëse dhe se tani takimet dhe bisedat online janë bërë të zakonshme.


Shtuar 13.04.2020 19:02