8 vite pas largimit nga “Portokalli”, Agron Llakajt i bëjnë ofertë për në Top Channel (FOTO LAJM)

Largimi i Agron Llakajt në 2010-ën nga “Portokalli”, të cilën e drejtonte, qe pak të thuash i bujshëm.

Një ndër të parët humoristë spektaklesh në Shqipëri, Agron Llakaj priti pak derisa në 2012-ën, krijoi “Al Pazar”, një spektakël humori i ngjashëm me formatin e “Portokalli” në “Vizion Plus”.

Sot, i ftuar në emisionin “Treshat” në këtë televizion, Agron Llakaj zbuloi se e ka marrë një ofertë për t’u kthyer në “Top Channel”, bashkë me arsyet përse vendosi të mos kthehet përsëri atje.

Bora Zemani e pyeti në lidhje me disa foto të tij me drejtorin e “Top Channel”, Ben Blushi, të cilat u publikuan nga mediat vitin e kaluar duke ngjallur aludimet për një projekt të Llakajt në televizionin e themeluar nga Dritan Hoxha.

Agron Llakaj e pranoi se në 2018-ën, ka qenë në bisedime dhe diçka e tillë edhe mund të kishte ndodhur.

“Ishte një ofertë për në “Top Channel”, e cila mbeti në kufijtë e gjërave që diskutohen por nuk realizohen.”

Sipas Llakajt, stafi i “Al Pazar” ishte arsyeja përse vendosi të mos e bënte këtë lëvizje, duke e konsideruar atë një familje.

“Unë në jetën time kam shëtitur e kam rendur shumë, por e vetmja gjë të cilën nuk e kam braktisur ka qenë familja. “Al Pazar” për mua ka qenë familje.”

Në një intervistë tek “Xing me Ermalin” në shtator të 2017-ës, Agron Llakaj sqaroi largimin nga “Portokalli” , të cilën asokohe e prezantonte me Amarda Toskën.

“Unë ofrova diçka për ndryshim, por mendimi im nuk u përqafua dhe prej momentit kur nuk prodhon më vlerë e kthehet në një lloj monotonie, mirë është që të largohesh. Unë nuk kam pranuar ndonjëherë që të jem i varur në çengel që dikush të më lëvizë majtas apo djathtas.”
Shtuar më 11/07/2019, ora 09:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori