Bllokohet “bisha” luksoze dhe 80 mijë euro, çfarë ndodhi në Kakavijë

Policia Kufitare në Kakavijë ka bllokuar një tjetër mjet luksoz të vjedhur.

I sekuestrohen 70900 euro një shtetasi, i cili tentoi t’i transferonte në mënyrë të paligjshme drejt Greqisë.

Procedohen penalisht dy shtetas.

Në vijim të zbatimit të detyrave të përcaktuara në planin e masave për shtimin e kontrolleve në pikat doganore, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i kontrolleve te imtësishme të kryera nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore dhe Frontex-in, në dalje të RSH-së është bërë bllokimi dhe sekuestrimi i automjetit të markës Renault, me drejtues shtetasin shqiptar E. X., 21 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Greqi. Mjeti i këtij shtetasi rezultoi me ndërhyrje mekanike në numrin e shasisë.

Po në vijim të kontrolleve u kap shtetasi me inicialet V. G., 49 vjeç, lindur në Sarandë dhe banues në Greqi, të cilit gjatë kontrollit në automjet iu gjet një sasi prej 70900 eurosh, të cilat i kishte fshehur në automjet, me qëllim shmangien e kontrollit.

Në cilësinë e provës materiale u bllokuan 1 automjet dhe një sasi prej 70900 eurosh.

Veprimet e para hetimore për këto raste u kryen nga DVP Gjirokastër, për veprat penale “Trafikim i mjeteve motorike” dhe “Mosdeklarim i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe materialet në ngarkim të dy shtetasve i kaluan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 8.01.2020 08:40