“Hapet” Papa Françesku: Victor Orban më tregoi kur mbaron lufta në Ukrainë

Papa Françesku ka zbuluar bisedën me kryeministrin hungarez Victor Orban, ku ky i fundit i ka treguar datën që pritet të përfundojë lufta në Ukrainë.

Ati i Shenjtë u shpreh se Orban i ka thënë atij kur u takuan në fund të prillit se presidenti rus Vladimir Putin planifikon t’i japë fund pushtimit të Ukrainës më 9 maj, Ditën e Fitores së Rusisë.

Papa i bëri komentet për gazetën italiane Corriere della Sera në një intervistë të botuar të martën. “Orban, kur e takova, më tha se rusët kanë një plan, se gjithçka do të përfundojë më 9 maj”, tregoi Papa Françesku.

“Kjo do të shpjegonte gjithashtu shpejtësinë e përshkallëzimit të këtyre ditëve. Sepse tani nuk është vetëm Donbasi, është Krimea, është Odesa, po i heq portin e Detit të Zi nga Ukraina, është gjithçka. Nuk ka vullnet të mjaftueshëm për paqe”, tha Papa, “Unë jam pesimist, por duhet të bëjmë çdo gjest të mundshëm për të ndaluar luftën”, shtoi më tej Ati i Shenjtë.

Papa Françesku përsëriti deklaratat e mëparshme se është gati të udhëtojë në Moskë për t’u takuar me Putinin dhe e krahasoi luftën në Ukrainë me gjenocidin në Ruandë.

“Ne nuk kemi marrë ende një përgjigje dhe vazhdojmë të insistojmë, edhe nëse kam frikë se Putini nuk mund dhe nuk dëshiron ta ketë këtë takim tani. 25 vjet më parë ne përjetuam të njëjtën gjë me Ruandën”, tha Papa Françesku.

Papa tha se ai nuk do të udhëtojë në Kiev për momentin, dhe do të dërgojë një përfaqësues.

“Së pari duhet të shkoj në Moskë, fillimisht duhet të takoj Putinin. Por edhe unë jam prift, çfarë mund të bëj? Do të bëj çfarë të mundem. Nëse Putini hap derën”,  tha ai.