Beteja e madhe po vjen, kur do ta mësojmë se kush do ta fitojë luftën në Ukrainë

Nga Leonardo Coen “Il Fatto Quotidiano”

Përktheu: Alket Goce-albeu.com

Treqind e tetëmbëdhjetë ditë luftë, masakra, shkatërrime, përdhunime, bombardime pa dallim të infrastrukturës civile. Lufta e imponuar nga Kremlini e ka tronditur Evropën dhe botën, por gjithashtu i ka zbuluar botës dobësitë e regjimit putinian, tmerret dhe gabimet e tij.

Për shembull, ka hedhur poshtë shpresat e presidentit rus për përçarjen e perëndimorëve, teksa  konflikti i nisur më 24 shkurt të vitit të kaluar solli efektin e kundërt. Për të mos folur në këto javët e fundit tragjike, mbi rezistencën e papritur ukrainase, pavarësisht stuhisë së përditshme të raketave të Moskës që godasin territorin ukrainas, me strategjinë e dukshme ruse për ta dobësuar moralin e popullatës dhe për ta zhytur atë në dëshpërim.

Por as ajo nuk po funksionon. Rezistenca e fortë ushtarake e Kievit është vërtet e aftë që të mbajë nën kontroll ushtrinë ruse, në një luftë mizore, të dhunshme, të frikshme. Dhe rezistenca e ukrainasve është jashtëzakonisht këmbëngulëse në mbrojtjen e identitetit dhe pavarësisë së tyre.

Një luftë që vazhdon edhe pas “manovrave” diplomatike të rreme, siç ishte ajo e trumbetuar shumë nga Moska mbi një “armëpushim” në emër të “paqes së Krishtlindjes”, që supozohej të përfaqësonte në mënyrë të njëanshme (pra të Putinit) një dëshmi të qëllimeve të mira të Kremlinit.

Në fakt ai “armëpushim”, zgjati vetëm disa minuta. As ukrainasit dhe as rusët nuk u përpoqën që ta respektojnë. Është një luftë e pistë, në të cilën i gjithë repertori i luftës është vendosur në një shkallë të gjerë (nga bombardime tek ofensivat e mëdha, nga krimet e bëra mbi banorët fatkeq që janë viktima të konfliktit, deri tek ‘cunami’ ekonomik dhe energjetik i shkaktuar nga lufta), për të cilën askush nuk beson më as tek mrekullitë, e lëre më pastaj tek mundësia e negocimit të një zgjidhjeje të pranueshme nga të dyja palët.

Aq sa menjëherë pas armëpushimit surreal, u zbuluan informacione mbi një mobilizim të ri të Rusisë. 500.000 rekrutë të rinj që Kremlini synon t’i dërgojë në front. Dhe nëse kjo është e vërtetë, ky është një lajm dramatik më shumë për rusët sesa për ukrainasit. Edhe Pentagoni e pranon: “Putin nuk i ka ndryshuar planet”.

Por nga ana tjetër nënvizon se trupat ruse janë të dobëta dhe të demotivuara. Më shumë një shpresë sesa një siguri. Sot lufta është më shumë se kurrë një konflikt hibrid. Ajo zhvillohet  në terren dhe në mënyrë virtuale, me topa dhe raketa, por edhe përmes titujve mediatikë.

Deri në grahmat e fundit. Mjerisht nuk ka asnjë perspektivë tjetër. Për shembull, le të kthehemi sërish tek “armëpushimi” e Krishtlindjeve, që zgjati sa koha për të thënë lutjen “Amen”. Patriarku i Moskës është një nga aleatët më të ngushtë të presidentit rus, dhe një nga mbështetësit më të vendosur të kryqëzatës kundër Ukrainës rebele. A mund të jetë i besueshëm apeli i tij, sidomos në sytë e ukrainasve?

Jo, dhe në fakt ai interpretua si një dredhi, dhe si një mënyrë për t’u dhënë rusëve më

shumë kohë për t’u rigrupuar pas pengesave të fundit që kanë hasur në front, të cilat kanë shkaktuar shumë debate dhe kritika të forta brenda Rusisë dhe brenda vetë kampit pro-Putin.

Ndaj nuk është e habitshme pse Mykhailo Podoliok, një nga këshilltarët e Zelenskit, e cilësoi armëpushimin si një “kurth cinik” dhe një “element propagandistik”. Sepse, sipas tij, Putin e ka bërë disa herë të qartë se nuk do të ndalet. Dhe është po aq e vërtetë se Ukraina nuk ka ndërmend të ndryshojë kurs.

Vetë Zelensky e ka bërë të qartë se nuk do të ndalojë asnjëherë së luftuari për jetën e vendit të tij, për integritetin e tij territorial. Në fakt, të dyja palët kanë nevojë për një armëpushim. Dhe ky është momenti më delikat i çdo konflikti. Pasi duhen rishikuar strategjitë, të maten kapacitetet logjistike, të vlerësohet shkalla e rezistencës së popullatave të përfshira në luftë, dhe duhet të ruhet një linjë e përbashkët politike.

Dallimi, që është vënë re 2 muajt e fundit, është se ukrainasit duken më të trajnuar dhe më të pajisur, falë furnizimeve të konsiderueshme britanike dhe amerikane. Po ashtu ata kanë një bindje të thellë, atë të të qenit në anën e duhur të historisë: të mbrojnë atdheun e tyre të sulmuar dhe të pushtuar. Prandaj, ne duhet të presim që ata të frenojnë rusët, duke e mbajtur pushtuesit nën presion, të paktën në Donbass, duke vazhduar të godasin objektiva cilësorë (kazerma, depo municionesh, lidhje rrugore dhe hekurudhore me Krimenë).

Nga ana e tyre rusët janë duke pritur në mënyrë pragmatike pranverën, për ofensivën e tyre të re, duke u fokusuar tek një mobilizim masiv (50.000 burra janë tashmë në front, 250.000 të tjerë po përgatiten të jenë në gatishmëri nga mesi i muajit shkurt), dhe tek epërsia e zjarrit të raketave.

Ky është skenari i hipotetizuar nga Instituti Britanik i Studimeve Strategjike, që për këtë arsye nuk i sheh më shumë optimizëm zhvillimet për vitin 2023. Sa i përket mundësisë së negociatave, për një marrëveshje paqeje duhet të ndryshojnë nevojat themelore të paktën të njërës nga palët.

Dhe për momentin, nuk ka asnjë provë që kjo është aktualisht e realizueshme. Do të jenë  kostot e mëdha të luftës – materiale dhe njerëzore – ato që do t’i detyrojnë udhëheqësit rusë të vlerësojnë vazhdimin apo jo të një konflikti që po e dobëson shumë Moskën dhe që në mënyrë indirekte, favorizon Kinën.

Barbara Zanchetta nga Departamenti i Studimeve të Luftës në Kolegjin Mbretëror në Londër, mendon se “çelësi” për zgjidhjen e konfliktit ndodhet brenda Rusisë. Sipas saj “luftërat e kaluara, ku një llogaritje e gabuar ishte vendimtare, si Vietnami për Shtetet e Bashkuara dhe Afganistani për Bashkimin Sovjetik, përfunduan për këtë arsye”.

Ato i ndryshuar kushtet e brendshme politik duke “e bërë rrugëdaljen nga lufta, si të vetmen mundësi të vlefshme”. “Fatkeqësisht do të jetë një betejë afatgjatë politike, ekonomike dhe ushtarake. Edhe në fund të këtij viti, ndoshta lufta mund të jetë duke vazhduar”- thotë ajo.

Gjatë këtyre 318 ditëve, një mori ekspertësh të gjeopolitikës, strategë, psikiatër (por edhe romancierë) janë përpjekur të kuptojnë se çfarë po ndodh në kokën e Putinit, dhe të deshifrojnë synimet e tij. Deri në pikën që është shfaqur një “lexim” i ri i ngjarjeve.

Analizat e tyre përmblidhen pak e shumë kështu: Historia e Rusisë është një epikë e gjatë, dramatike dhe e pamëshirshme, në të cilën ndërthuren logjika imperialiste dhe mesianizmi, të cilat ndjekin njëra-tjetrën, dhe Putin është vazhdimësia ideale, nga Carët tek udhëheqësit sovjetikë. Sipas kësaj analize të gjithë janë të prekur nga paranoja obsesive e të ndjerit vazhdimisht të rrethuar dhe të kërcënuar, ndaj dhe reagimi i vetëm është garantimi dhe zgjerimi i kufijve, siç i shkruante dikur Volterit, Katerina e Madhe.

Natyra perandorake e fuqisë ruse, shpjegon Françoise Thom, autore librit “Putin ose obsesioni pas pushtetit”, zbulohet në një batutë shumë domethënëse të presidentit rus, në vitin 2016, që sipas tij nxjerr në pah frymën që mobilizon nomenklaturën e Kremlinit: “Kufijtë e Rusisë nuk ndalojnë askund”, motoja e parashutistëve.

Sipas Thom, për shekuj me radhë rusët nuk e kanë konsideruar veten si komb apo shtet, por si një perandori, “por si një perandori që është përjetësisht e kërcënuar”. Putin ka bërë gjithçka për ta konsoliduar këtë dogmë, dhe propaganda e pandërprerë për këtë çështje është gjithnjë e më radikale.

Nga këtu buron edhe paradigma se rreziku më i madh vjen nga zgjerimi i NATO-s, krahut të armatosur të Perëndimit “të lig”. Ajo kërcënon edhe vlerat e krishtera të mbrojtura nga Moska, e cila është “Roma e Tretë”. Dhe Patriarku Kirill, ai që thirri dhe bekoi “armëpushimin” e Krishtlindjeve, luan një rol qendror në projektin ambicioz perandorak të Putinit.

Një tjetër pasojë: pushteti vertikal i ndërtuar nga Putin, është sot një autokraci e vërtetë. Perandoria dhe autokracia janë të lidhura pazgjidhshmërisht. Njëra justifikon tjetrën. Prandaj, sipas planit të Putinit, është e nevojshme që Rusisë, e dëshpëruar nga humbja e gradës së superfuqisë, t’i rikthehet fuqia e saj e madhe natyrore duke filluar që të ushtrojë sërish  kontroll mbi vendet fqinje (si në kohën e Bashkimit Sovjetik) dhe të imponojë, së brendshmi, një kontroll gjithnjë e më mbytës të shoqërisë, duke persekutuar disidentët, duke i burgosur ata, duke gjurmuar kudo nëpër botë liderët “tradhtarë”, “oportunistë” për t’i eleminuar, apo “vetëvrarë” ata…

Françoise Thom pohon se ishte ky skenar, ai që e nxiti Putinin të sulmonte dhe pushtonte Ukrainën, që cilësohet si fajtore pse i ktheu shpinën, duke pranuar afrimin me Perëndimin dhe kërkuar anëtarësimin në NATO. Ndaj Ukraina duhet të “rivendosej sërish” në diktatin e Moskës.

Nëse nuk ia del, nëse nuk e kontrollon dot fqinjin e tyre siç po ndodh me Bjellorusinë, rreziku është që Kievi ta minojnë prestigjin dhe fuqinë e Rusisë, sepse do të dominonte kompleksi ushtarak-industrial ukrainas i mbështetur masivisht nga Perëndimi i urryer.

E njëjta gjë do të ndodhte me udhëheqësit ukrainas të trajnuar më mirë se rusët. Pa Ukrainën, Rusia nuk do të ishte asgjë më shumë se një trung pa krahë dhe pa këmbë, deklaroi Igor Guirkin, një nga liderët separatistë të Donbasit. Ndërkohë, historia e Rusisë na mëson se lufta është një provë e vullnetit dhe logjistikës.

Dhe këtu është e admirueshme gatishmëria e ukrainasve për t’i rezistuar Goliatit rus. Logjistika e tyre është më efikase dhe më dinamike. Ajo e kompenson krahasimin e pabarabartë me arsenalin rus. Por sa mund të zgjasë kjo rezistencë? Të gjithë e dinë përgjigjen: aq sa do të zgjasë ndihma konkrete dhe pragmatike e Perëndimit.

Kjo është një luftë shumë asimetrike. Nga teknologjitë, shkollat strategjike. Është një sfidë brenda sfidës, në të cilën vendosmëria e popullit dhe ushtarëve ukrainas luan një rol të madh, dhe është një stimul psikologjik, që i plotëson vështirësitë objektive. Basti i madh është: A

do të fitojë strategjia e ngadaltë e forcave ukrainase që synon objektivat e ndjeshme apo ajo ruse që synon të shkaktojë dëme masive?

A do të fitojë cilësia e armatimit taktik perëndimor apo sasia e potencialit rus?

Ardhja e pranverës, pra 2-3 muajt e ardhshëm do të na tregojnë se si mund të përfundojë lufta. Pas ngricave dhe baltës, përgjigjen do të na e japin ushtritë në terren, dislokimet e

tyre, armatimet e rënda, mjetet e blinduara, varësia në rritje e Rusisë nga mercenarët e GrupitVagner (i rritur në 20.000 njësi). Sido që të shkojnë gjërat, lufta në Ukrainë ka shkatërruar imazhin e një ushtrie ruse efektive dhe të mirë-menaxhuar. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 9.01.2023 10:54