Dosja “Kacifas”, Gjykata pushon çështjen: Ekstremisti grek është vetëvrarë

Gjykata e Gjirokastrës ka pushuar zyrtarisht çështjen e vdekjes së ekstremistit grek, Kostandino Kacifas.

Kacifas vdiq në 28 tetor të vitit 2018 në fshatin Bularat të Gjirokastrës.

Vendimi është marrë në 13 dhjetor, nga gjyqtarja Suela Dashi, e cila vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit Julian Çafka.

Gjithashtu sipas informacioneve, bëhet me dije se në seancën e zhvilluar pak ditë më parë në Gjirokastër, në sallën e gjyqit ka qenë i pranishëm vetëm Jani Kacifas, babai i të ndjerit.

Çështja u dorëzua që në maj të këtij vitit në Gjykatë me përfundimin se Kaçifas ishte vetëvrarë, por dosja u rikthye tek prokurori për të vazhduar hetimet.

Ekspertiza e mjekëve ligjorë shqiptarë, ka arritur në përfundimin se dy plagët në trupin e viktimës janë kryer me puthitje dhe kanë faktorë plotësues, çka flet për vetëvrasje.

“Ekspertiza mjeko-ligjore me Nr.597/1 e kryer për këtë çështje, ka dalë në përfundimin se asnjë armë e forcave RENEA nuk ka qëlluar mbi Kostandin Kacifasin.Konkluzioni i ekspertit thotë se viktima ka dy plagë në gjoks të kryera me puthitje nga armë zjarri, me drejtim tejshkues nga para mbrapa. Në pjesën e hyrjes, evidentohen faktorët plotësuese të barutit dhe djegies së lëkurës. …plaga me puqitje të plotë është shkaktuar e para dhe është ajo që ka shkaktuar vdekjen, ndërsa plaga tjetër është shkaktuar e dyta”, thuhet në dosje./albeu.com/