Tha se nxorri në pritë Azem Hajdari, ish-kreu i SHISH: Berisha po rrjedh!

Ish-kreu i SHIK, Fatos Klosi ka reaguar pas deklaratës së mbrëmshme në ‘Opinion’ të ish kryeministrit Sali Berisha kur tha se ishte ai personi që nxorri në pritë Azem Hajdarin, i cili më pas u vra me breshëri plumbash në shtator 1998.

Klosi në një intervistë Abcnews.al thotë se Sali Berisha sa herë flet për atë çështje jep versione të ndryshme dhe i ngatërron gjërat. “Është në vazhdën e mënyrave si e ka trajtuar ai. Ka thënë 500 versione deri tani”, tha Klosi, ndërsa rrëfeu të vërtetën sipas tij për ngjarjen.

“Ai ndryshoi mbrëmë që tha që zbritën në aeroport, kur zbriti Nano e takuan, që unë kisha vajtur në Maqedoni për të siguruar arratisjen e kryeministrit në Maqedoni, që ndodhi pas dy ditësh, gjëra që janë absurde, nuk kanë asnjë kuptim. Unë nuk e dija që kryeministri do të ikte.

Nuk e di përse i bën këto gjëra. Thotë versione të reja. Kam përshtypjen dhe frikë se ai po rrjedh. I ngatërron gjërat, nuk mban mend cfarë ka thënë. Kurrë se ka thënë ndonjëherë që unë kam qenë në Bullgari apo Maqedoni atë natë, vetëm ka thënë se isha në Himarë, që nuk ishte e vërtetë, unë isha me të vërtetë jashtë vendit.

Kjo m’u duk e çuditshme që unë paskam shkuar në Maqedoni për të rregulluar largimin e Fatosit nga Tirana në datë 14, as e kemi imagjinuar që do të ndodhte kjo gjë. Atë ditë që ka ikur Fatosi në Maqedoni, as Presidenti, as ministri i Brendshëm dhe as unë nuk dinim gjë.

E kemi marrë vesh vetëm të nesërmen kur hyri nga Maqedonia në Shqipëri. Nuk e di pse duhet të sajojë një njeri kaq i rëndësishëm sa ai, çudira, për të qenë sa herë që del në televizor interesant. Sa herë që del shpik ndonjë gjë të re”, tha Klosi.


Shtuar 29.09.2020 18:59