Zëri i Amerikës: Fermerët shqiptarë hasin probleme me shitjen e grurit, shkak kostot e larta

Në Shqipëri mjaft fermerë po hasin vështirësi në shitjen e grurit të sivjetshëm për shkak se çmimi i tregut është thuajse i njëjtë me kostot e prodhimit. Autoritetet u bënë thirrje atyre një vit më parë, pas agresionit rus në Ukrainë që të kultivojnë grurë me qëllim për të zbutur pasojat e krizës së furnizimeve që shkaktoi lufta.

Por megjithë shtimin e subvencioneve sipërfaqet e mbjella nuk u zgjeruan ndjeshëm. Autoritetet thonë se ndihma financiare kishte synim ta ruante këtë sipërfaqe dhe të konsolidonte prodhimin. Ndërkaq situatën e kanë bërë më të vështirë edhe problemet e mbartura në bujqësi që lidhen më së shumti me informalitetin dhe copëzimin e tokës.

Në Shqipëri ditët e fundit fermerë të kultivimit të grurit dhe ekspertë të fushës së bujqësisë po shprehin shqetësim në rritje, pasi çmimi i shitjes së grurit në treg është i njëjtë, ose në disa raste dhe nën koston e prodhimit, dhe varion nga 26-27 lekë të reja për kg, ose 27 mijë lekë për ton. Çmimi u dyfishua pas agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022, dhe mbërriti mbi 500 dollarë për ton, por tregjet u stabilizuan sërish pas arritjes së marrëveshjes mes Rusisë dhe Ukrainës për transportin e drithërave të Ukrainës në Detin e Zi, në korrik të po këtij viti.

Franc Kaloshi një fermer në zonën e Lushnjës i cili kultivon grurë që prej 22 vitesh tha për Zërin e Amerikës, se ky është viti i tij më i vështirë. Kostot e prodhimit janë rritur thotë ai dhe çmimi i tregut është nën këto kosto.

“Prodhimi është në tokë, kjo s’ka ndodhur prej 22 vitesh. Nuk mund ta shes me këtë çmim që është në treg. E kam lënë këtu në magazinë. Nëse del një çmim tjetër më i lartë, do ta shes. Nëse nuk e shes grurin, vitin tjetër unë nuk mbjell asnjë hektarë me grurë, sepse nuk mundem. Shteti më subvencionon mua naftë për 10 ha, që do të thotë 910 litra naftë. Me kaq naftë, traktorët e mi punuan 48 orë. Megjithatë e falenderoj shtetin dhe për kaq sa më dha”-u shpreh për Zërin e Amerikës Franc Kaloshi, fermer në zonën e Lushnjës.

Situata e viteve të fundit në bujqësi ka qenë e vështirë si pasojë e krizave që shkaktoi pandemia e Koronavirusit, dhe kryesisht agresioni rus në Ukraninë që solli një rritje të ndjeshme të çmimeve në gjithë zinxhirin e furnizimeve në tregjet globale. Para fillimit të krizës çmimi i grurit në bursë ishte pak a shumë i njëjtë me atë që tregtohet sot, por fermerët thonë se kostot e prodhimit janë rritur me 25-30% për shkak të rritjes së çmimit të imputeve bujqësore, naftës apo fuqisë punëtore, duke mbërritur në kufijtë e çmimit të shitjes. Një prej grumbulluesve të grurit në vend, i lidh me disa faktorë këto kosto të larta.

“Ka shumë probleme fermeri te ne, që nga copëzimi i tokës në ngastra, cilësia e pesticideve apo e farërave. Por gruri në gjithë botën subvencionohet që nga Kanadaja, Amerika, Greqia, Austria, Serbia apo Maqedonia. Nuk ka shtet që nuk e subvencionon grurin, madje subvencionohet fuqishëm. Përndryshe gruri nuk arrin të prodhohet dhe të dalë në treg me sukses. Tek ne është bërë një subvencionim për 4 mijë fermerë, por pjesa që nuk ka marrë është e pambrojtur, megjithëse dhe ata që kanë marrë ankohen.”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Adi Haxhiymeri Kryetar i Unionit të Prodhuesve të miellit.

Një vit më parë qeveria shqiptare për herë të parë, njoftoi subvencionimin me 30 mijë lekë të reja për ha për kultivimin e grurit që iu shtuan disa skemave të mbështetjes së fermerëve me naftë. Por kjo nuk ndikoi në një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së grurit në vend. Autoritetet thanë për Zërin e Amerikës se çmimi është produkt i kërkesës dhe ofertës në tregjet ndërkombëtare dhe se ndërhyrjet financiare dhanë efeket në konsolidimin e sipërfaqes së kultivimit të grurit.

“Mbjelljet që e pasuan e konfirmuan këtë gjë. Sipërfaqja jo vetëm që nuk u ul por u shtua me rreth 3 mijë ha. Ishte një ndihmë jo e vogël për fermerët që e përfituan sepse ulën kostot e prodhimit. 30 mijë lekë për ha, është një ulje e ndjeshme në kushtet kur çmimi i naftës dhe ato të imputeve u rritën ndjeshëm. Kemi diçka më shumë se 3 mijë ha më shumë në kushte ekstreme. Fermerët pas subvencionimit u përballën me kosto më të ulëta. Kemi bërë maksimumin brenda kufijve të buxhetit. Kemi ndërhyrë për të ulur kostot”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Irfan Tarelli, Drejtor i Politikave Zhvillimore në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ditët e fundit në bursë ka një trend rritës të çmimit të grurit, nga 250 në 300 dollarë për ton, si pasojë e tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja që i lejonte Ukrainës eksportin e drithërave në Detin e Zi. Kjo mund të sjellë një situatë të favorshme për fermerët shqiptarë pasi mund ta shesin grurin me një çmim më të lartë.

Sipërfaqja e grurit sipas të dhënave të INSTAT, është zvogëluar ndjeshëm prej viteve 2000, me 62%, dhe me 21% vetëm në 5 vitet e fundit dhe prodhimi vendas plotëson gjysmën e nevojave. Shkalla e subvencioneve në bujqësi edhe pse ka njohur rritje këto vite, sërish është e pamjaftueshme sipas ekspertëve, për të ndikuar në rritjen e sipërfaqeve të mbjella me grurë. Përvec kësaj mjaft fermerë penalizohen nga mungesa e dokumentacionit të pronësisë mbi tokën. Franc Kaloshi dhe familja e tij, kultivojnë prodhime të ndryshme bujqësore në një sipërfaqe prej 220 ha tokë në zonën e Lushnjës, por nuk zotërojnë dokumenta të rregullta pronësie për gjithë sipërfaqen. Kjo e dëmtoi atë në rastin e subvencionimit të grurit me 30 mijë lekë për ha.

“Unë aplikova për 68 ha, dhe përfitova subvencionim vetëm për 16 ha. Kjo ndodhi se unë vetëm për kaq hektarë kisha dokumenta të rregullta pronësie, sipas ligjit. Deri tani ne nuk na është kërkuar kontratë qeraje për tokën në administrim, dhe nuk i kemi dhënë shumë rëndësi. Nga ky moment që po kërkohet ne po lidhim kontrata qeraje të rregullta, pasi na ndihmon për të përvetësuar subvencionimet nga shteti, që edhe pse mund të jenë të ulëta, sërish na vijnë në ndihmë”- vijoi Franc Kaloshi, fermer në zonën e Lushnjës.

Edhe grumbullesit e grurit e shohin si një problem serioz informalitetin në bujqësi, që sipas tyre e dëmton shumë fermerin dhe prodhimin bujqësor në tërësi.

“Fakti që ne në vitin 2023 nuk kemi ende çertifikata pronësie për çdo njeri që ka një tokë është absurde. Rrjedhimisht duke mos patur dokumenta, je jashtë loje, je i patrajtuar me mbështetje financiare. Kjo nuk diskutohet”- pohoi Adi Haxhiymeri Kryetar i Unionit të Prodhuesve të miellit.

Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë i thanë Zërit të Amerikës se janë rritur përpjekjet për formalizimin e fermerëve dhe se dhënia e subvencioneve është gjithashtu një masë nxitëse.

E megjithatë ekspertë të fushës së bujqësisë mendojnë se krahas skemave financiare në ndihmë të fermerëve, autoritetet duhet të hartojnë politika më të qarta bujqësore me qëllim orientimin e fermerëve.

“Kur të ndërtohen politikat bujqësore të merren parasysh që të ketë një orientim sa më të drejtë të fermerëve. Të mos diskutohet vetëm sipërfaqja për të rritur prodhimin. Të bëhet studim i tregut. Cili është ai kultivar gruri që kërkohet nga industria përpunuese, të gjithë zinxhirët duhet të jenë në sinkron me njëri- tjetrin”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Ilir Pilku ekspert i bujqësisë.

Por përveç problemit të çmimit të shitjes së grurit, pak a shumë të njëjtë me kostot e prodhimit, fermerët u përballën këtë vit edhe me kushte të rënduara klimatike të shoqëruara me reshje të shumta në prag të korrjeve që sipas ekpsertëve dëmtuan cilësinë. Disa grumbullues thanë se cilësia është bërë pengesë për blerjen e grurit në tregun vendas, por autoritetet argumentojnë se ky konstatim nuk mund të përgjithësohet, dhe se për ta mbetet problem çmimi i pafavorshëm në bursë dhe jo cilësia.

Por situata në vazhdim duket se do të varet nga tregjet globale, të cilat janë në pritje të zhvillimeve të reja pasi Rusia pezulloi pjesëmarrjen në marrëveshjen që i krijonte mundësi Ukrainës të eksportonte grurë përmes Detit të Zi. Kjo marrëveshje u ndërmjetësua nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia me qëllim për të lehtësuar krizën globale ushqimore. Ukraina është prodhues i madh i drithërave dhe ndërprerja e eksporteve prej saj mund të risjellë një tronditje të tregjeve dhe ndoshta një çmim të ri më lartë të grurit në bursë./VOA


Shtuar 31.07.2023 19:37