Scholz: Putin nuk e konsideron “gabim” pushtimin e Ukrainës

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin ende beson se ka pasur të drejtë kur ka nisur pushtimin e Ukrainës. Ai i ka bërë këto deklarata të mërkurën, pas një bisede telefonike 90-minutëshe që ka zhvilluar me presidentin rus një ditë më parë.

“Fatkeqësisht, nuk mund të them se ekziston bindja që nisja e luftës ka qenë gabim”, u ka thënë Scholz gazetarëve.

“As nuk ka shenja për qasje të re”, ka thënë lideri gjerman në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij nga Gjeorgjia, Irakli Garibashvili.

Përgjatë bisedës me Putinin, Scholz i ka bërë thirrje liderit rus që të synojë një zgjidhje diplomatike “të bazuar në armëpushim, tërheqje të plotë të forcave ruse dhe respektim të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës”.

Largimi i trupave ruse nga Ukraina është mënyra e vetme për t’i dhënë “paqes një mundësi në këtë rajon”, ka thënë Scholz të mërkurën. Ndonëse Putini nuk ka lëvizur nga pozicionet e veta, kancelari gjerman ka thënë se është e domosdoshme që të vazhdojnë bisedat me liderin rus.

“Është e drejtë që të flasim me njëri-tjetrin dhe të themi atë që duhet thënë në këtë temë”, ka thënë mes tjerash Scholz.

Në fillim të muajit shtator, ushtria ukrainase ka nisur një kundërofensivë për të rikthyer kontrollin e territoreve të pushtuara nga forcat ruse, prej nisjes së luftës në fund të muajit shkurt. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ushtria ukrainase kontrollon mbi 6.000 kilometra katrorë në rajonin e Harkivit dhe tani fokusi është te rajonet lindore.

Autoritetet ruse kanë thënë se forcat e tyre janë tërhequr nga rajonet e Harkivit për t’u përforcuar në rajonin e Donbasit. Mirëpo ekspertët besojnë se Rusia ka dhënë arsyetim të ngjashëm edhe kur është tërhequr nga rajonet e Kievit në muajin mars.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./ REL


Shtuar 14.09.2022 19:24