Si përballen sot midis tyre fuqitë e mëdha

Nga Giorgio Arfaras “Il Foglio

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Përballja midis pushteteve, solli dikur ndarjen e regjimit të vjetër në Francë midis aristokracisë, klerit, pushtetit të tretë dhe atij të katërt. Me aristokraci nënkuptojmë atë të pasurisë. Në fakt aristokracia historike që merrej me luftën, është zëvendësuar sot nga shteti.

Ndërsa me klerikë nënkuptojmë sot ata që merren profesionalisht me formimin e besimeve dhe opinion-bërjen. Në kategorinë e tretë bëjnë pjesë sipërmarrësit e nivelit të mesëm dhe punonjësit e  kualifikuar. Ndërsa në të katërtën, përfshihen ata që janë përjashtuar nga 3 kategoritë e lartpërmendura.

Në Shtetet e Bashkuara kemi një aristokraci shumë të fuqishme dhe dinamike, siç dëshmohet nga risitë e vazhdueshme. Një aristokraci që i financon universitetet përmes tarifave të shkollimit të fëmijëve të tyre dhe qendrat kërkimore përmes kontributeve të drejtpërdrejta. Kështu aristokracia financon intelektualët, pra atë që dikur ishte kleri. Aristokracia amerikane ka një peshë të madhe edhe në fushën e politikës, sepse është financuesja më e madh. Kategoria e tretë është shumë më pak e rëndësishme se në të kaluarën për shkak të ndryshimeve të lidhura me ekonominë post-industriale, atë të dijes, ku mbi të gjitha shpërblehen ata që kanë formim më të lartë.

Në SHBA ky segment i popullatës është shumë i joshur nga populizmi. Ndërkohë kategoria e katërt nuk voton aq sa të ketë peshë në vendimet politike. Në Rusi nuk ka një aristokraci të fuqishme dhe dinamike, qoftë për shkak se oligarkët u shtypën nga Kremlini kur u përpoqën të ndikojnë në jetën politike, por edhe sepse në një ekonomi të pasur me burime natyrore, ka pak nxitje për të kërkuar pasuri përmes inovacioneve.

Për të njëjtën arsye, kemi një pushtet të tretë me pak aktivitet industrial. Në Rusi kemi mbi të gjitha një aristokraci të përbërë nga klasa që jetojnë nga aktivitetet e shtetit:rendi publik, spiunazhi, ushtria, administrata. Eksponentët e kësaj aristokracie janë individualisht shumë më pak të pasur se oligarkët, por së bashku, dhe falë numrit të tyre të madh, kontrollojnë një pjesë të madhe të pasurisë.

Një pjesë e madhe e pasurisë së aristokracisë ruse ndodhet jashtë vendit. Jo vetëm kaq, fëmijët e tyre shkojnë jashtë për të studiuar dhe gratë për të jetuar. Në mungesë të një interesi të vërtetë të kësaj aristokracie për zhvillimin e brendshëm, nuk financohen universitetet dhe qendrat kërkimore, dhe për rrjedhojë nuk janë në një nivel të krahasueshëm me atë në SHBA.

Pushteti i kartërt jeton në zonat e varfra dhe të largëta, dhe së fundmi ka bërë bujë për shkak se është dërguar të luftojë në Ukrainë. Ndryshe nga Rusia, në Kinë kemi një aristokraci të teknologjisë së lartë, së cilës ashtu si në Rusi 20 vjet më parë, i është kërkuar të mos ketë ndikim në politikë.

Atje ka një kategori të tretë të pasur me sipërmarrës, dhe meqë Kina nuk është një vend post-industrial, nga punonjësit e kualifikuar. Por ajo nuk ka një zë të pavarur në politikë. Në Kinë, shteti është tërhequr pjesërisht nga industria dhe tërësisht nga pasuritë e paluajtshme. Pra shteti peshon shumë aty ku gjërat kanë rëndësi.

Kështu, atje kemi një parti të vetme që kontrollon shtetin, bashkë me burokracinë. Një parti që mund të imagjinohet si një “kler” shumë i fuqishëm. Ai ndikon tek njerëzit që nuk votojnë dhe kontrollon pasurinë e tyre. Ai zotëron jo vetëm një pjesë të industrisë si pronar, por ka celula aktive që kontrollojnë ndërmarrjet e mëdha dhe të vogla.

Pushteti i katërt përbëhet nga ata që jetojnë në zona të varfra larg brigjeve të Paqësorit. Vendet evropiane janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra për të nxjerrë karakteristika të përbashkëta të ndarjes së dikurshme të regjimit. Për këtë arsye fokusohemi vetëm tek Italia, e cila nuk është tamam një fuqi, por me raste ka qenë një nga protagonistët e ngjarjeve historike.

Ajo nuk ka një aristokraci pronarësh shumë të pasur, sepse kompanitë kryesore, ato të shërbimeve publike dhe bankat, janë nën kontrollin e shtetit. Sigurisht, ekziston pasuria e atyre që janë aksionerë të kompanive të mesme dhe të mëdha të suksesshme. Por kjo e fundit nuk mund të jetë e njëjtë, dhe as të ketë ndikimin e manjatëve amerikanë.

Pra s’ka ndikim në universitete, tek kërkimet shkencore dhe teknologjike, dhe në financimin e politikës. Kompanitë e mesme të mëdha janë pushteti i tretë së bashku me punëtorët e kualifikuar që punojnë  dhe jetojnë kryesisht në veri. Në Itali ata që merren me bindjet dhe konsensusin, përfaqësohen nga Partia Demokratike.

Një parti që fitoi zgjedhjet në vitet 1996 dhe 2006, por jo ato në vitet 1994, 2001, 2008, 2013, 2018. Prania e saj e vazhdueshme mund të shpjegohet me funksionin që kryen:aderimin në strukturat euro-atlantike dhe mbështetjen e globalizimit. Kategoria e katërt banon në zona më pak të zhvilluara, kryesisht në jug, dhe voton për ca të ardhura shtesë nga shteti.

Dikur konkurrenca midis fuqive të mëdha kishte krijuar një strukturë të turbullt dhe shumëpolare të politikës botërore, në të cilën fuqitë e mëdha përballeshin me njëra-tjetrën si një grup armiqsh të mundshëm, duke i përzier aleancat. Rasti klasik është Evropa. Deri në shekullin e kaluar Franca, Britania e Madhe, perandoritë Habsburge dhe më pas austro-hungareze, Prusia (më vonë Gjermania) dhe Rusia, ishin të shqetësuara, të armatosura dhe të rreshtuara me njëra-tjetrën ose kundër njëra-tjetrës.

Në rivalitetin klasik, gara ndërmjet shteteve u shfaq thuajse ekskluzivisht në forma ushtarake. Atë e formësuan tensionet ekonomike, sociale dhe kulturore, por përplasjet tradicionale midis tyre janë përcaktuar gjithmonë nga lufta. Por asnjë nga këto nuk e përshkruan politikën aktuale botërore.

Shtetet e Bashkuara janë një “superfuqi” dhe jo “një nga fuqitë”, siç ka ndodhur në të kaluarën mes atyre evropiane. Arsyeja pse sot nuk ka gjasa të shpërthejë një luftë globale, nuk është se bota më në fund ka bërë paqe, por bazohet në balancën e fuqisë midis fuqive shumë më të mëdha dhe gjithë të tjerëve.

Kështu, përplasja midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës nuk do të jetë luftarake. Por ajo do të zhvillohet në disa nivele ekonomike, përfshirë atë energjetik. Sa i përket Rusisë, falë lëndëve të para, ajo fitoi një pozicion të favorshëm negociues, sidomos ndaj Evropës.

Por fuqia e saj duhet të ndryshojë në vitet e ardhshme, duke e reduktuar ndjeshëm shtrirjen e saj. Si pasojë e krizës ruse, edhe Bashkimi Evropian do të ketë probleme në një periudhë afatshkurtër, por duhet t‘i kapërcejë ato afatgjata, nëse arrin të diversifikojë burimet e saj të energjisë.

Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara, do të ruajnë një pozicion të fortë në terma afatgjatë, si një vend i pavarur energjetik, dhe tanimë edhe si një eksportues i energjisë për të zëvendësuar Rusinë. Para agresionit në Ukrainë, Moska kishte disa dekada që bënte eksporte fitimprurëse drejt Evropës.

Edhe nëse nuk do të zhduken eksportet ruse drejt Evropës, ato do të bien ndjeshëm brenda pak vitesh. Rusia do të jetë në gjendje të gjejë tregje alternative, si ai indian dhe kinez për naftën, por tubacionet e saj kryesore janë tani për tani të drejtuara drejt Evropës, dhe ndërtimi i të rejave do të kërkojë kohë dhe para.

Strategjia e SHBA-së synon të izolojë jo vetëm Rusinë, por edhe Iranin dhe Venezuelën, duke e forcuar pozicionin e Arabisë Saudite. Pozicioni i kësaj të fundit kërcënohet jo aq nga politika e sotme ndërkombëtare, por nga ajo mjedisore e së nesërmes. Me rritjen e rëndësisë së energjisë së gjelbër, bota do të varej shumë më pak nga nafta saudite. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 12.04.2023 10:23