Halili: Do luftojmë për të shkuar përpara, po bëjmë blerje për një futboll edhe më të bukur

Presidenti i Tiranës, Refik Halili ka pasur falenderime për të gjithë pas kualifikimit në ndeshjen e djeshme të Ligës së Kampionëve ndaj Dinamo Tbilis me rezultatin 0-2.

Në një intervistë për Studio Sprint në Abc News, ndër të tjera, Halili thekson se merkaton po e bëjnë që të afrojnë futbollistë për të zhvilluar edhe lojëra më të bukura.

Ndërkohë, shprehet se futbollistët i sheh si bashkëpronarë në kuptimin e shpërndarjes së bonuseve.

“Fitore shumë e rëndësishme për futbollin shqiptar, janë për t’u përshëndetur të gjithë. Edhe vetë Federatën, me licencimet, me grupin e punës, gjej rastin të falënderoj dhe presidentin e Federatës, i cili na ka përshëndetur.
Falënderoj të gjithë mbështetësit, tifozët, që janë oksigjeni dhe zemra e skuadrës. Ka një kohë shumë të gjatë që skuadra punon në grup, ka ndryshuar diçka si asnjëherë tjetër. Jo se kemi pasur rezultatet, por ka një frymë, një lloj bashkëpunimi te skuadra.

Edhe futbollistët e rinj janë bërë menjëherë pjesë e grupit, na ndihmuan që në ndeshjen kundër Tbilis. Themi që t’i marrim gjërat me radhë, do të mblidhemi dhe do të bisedojmë, me gjithsecilin që do të marrë detyrat e veta. Të ndihmojmë skuadrën maksimalisht, që të dalë me sukses.

Kundër Cverna është shumë e vështirë, por kam besim te kjo skuadër, kemi folur për këtë ndeshje që në avion, duhet punë, duhet kujdes. Them që do të bëjmë një gjë të mirë, po ta shikoni merkaton, do të jemi një skuadër e mirë, nuk diskutohet.
Po bëjmë blerje, për ta mbajtur dhe për ta çuar edhe më lart ritmin e lojës, si dhe për të bërë një futboll edhe më të bukur. Do luftojmë për të shkuar dhe për të ecur përpara, të bëjmë të pamundurën që të gjithë të ecim përpara.

Të gjithë futbollistët i shikoj si bashkë-pronarë të klubit, kjo është një mënyrë se si po punoj unë. Nëse ne vendosim që të marrim një bonus 100 mijë euro, atëherë kam thënë që jemi ortakë. Nëse lojtarët nuk djersitin, nuk marrin të ardhura. Çunat kanë nevojë edhe për motivim, për të folur me to”, u shpreh Halili.


Shtuar 20.08.2020 20:16