A do të zgjasë uniteti i NATO-s kundër Rusisë?

Nga Giorgio Cafiero & Alissa Pavia “National Interest

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Përpara se Rusia të niste pushtimin e Ukrainën një vit më parë, NATO ishte jo pak e përçarë. Në vitin 2019, presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se aleanca transatlantike “ndodhej në një gjendje kome”.

Intervista e kandidatit të atëhershëm për president të SHBA-së, Donald Trump, në vitin 2016 për “NewYork Times” mbi mos-mbrojtjen nga Uashingtoni të shteteve baltike të NATO-s nga agresioni i mundshëm rus, sepse ato nuk po “paguanin faturat e tyre”, i shqetësoi shumë aleatët evropianë të Amerikës.

Për shumë vite, anëtarë të ndryshëm të NATO-s e kritikuan Gjermaninë dhe Italinë se ishin tepër miqësore me Rusinë. Disa e quanin sidomos Gjermaninë një “partnere të lëkundur të aleancës”. Nivelet e larta të fërkimeve midis Greqisë dhe Turqisë vetëm sa i përkeqësuan më tej tensionet brenda NATO-s.

Një nga gabimet e shumta strategjike të Vladimir Putin në raport me luftën ishte nënvlerësimi i kapacitetit dhe i vullnetit të NATO-s për t’u bashkuar në mbështetje të qeverisë së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Megjithatë Putin nuk gaboi se ishte budalla.

Sepse kur Rusia e aneksoi ilegalisht Krimenë dhe pushtoi pjesën më të madhe të Donbasit në 2014, Gjermania dhe vendet e tjera të NATO-s, treguan se ishin më të interesuara të blinin gazin rus sesa të përballeshin me Moskën mbi Ukrainën Lindore. Duke pasur parasysh këtë dhe ndarjet e lartpërmendura brenda NATO-s, Kremlini kishte arsye të forta të supozonte se Berlini dhe kryeqytetet e tjera evropiane do t’i rezistonin thirrjeve të Kievit për një mbështetje të madhe ushtarake dhe nuk do të vendosnin sanksioneve të rrepta ndaj Rusisë.

Një vit pas pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, uniteti i NATO-s kundër Moskës ka mbetur kryesisht shumë i fortë. “NATO është e bashkuar për një numër çështjesh kyçe. Midis anëtarëve të aleancës ekziston një konsensus themelor për peshën e kërcënimit që buron nga Moska, por edhe besimi se nëse Ukraina nuk triumfon, do të dëmtohej shumë siguria evropiane dhe globale”- thotë Paula Dobriansky, ish-diplomate amerikane dhe eksperte e sigurisë kombëtare.

Gjatë gjithë vitit të kaluar, vendet e aleancës perëndimore i kanë ofruar Kievit mbështetje ushtarake, ekonomike dhe humanitare në shumën 80 miliardë dollarësh. Shumica e kësaj ndihme ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe. Edhe pse dërgesat e armëve në Ukrainë nuk kanë qenë aq sa do të dëshironin disa vende të NATO-s, si Polonia dhe shtetet baltike, aleanca e ka përmbushur shumicën e kërkesave të Kievit.

Për zhgënjimin e Putinit, paketat e pashembullta të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, kthesa historike në financimin e ushtrisë dhe politikën energjetike gjermane, distancimi i Italisë nga energjia ruse, dërgesat turke me dronë në Kiev dhe veprime të tjera të rëndësishme treguan vendosmërinë e NATO-s për të arritur nivelin më të lartë të kohezionit në periudhën e pas Luftës së Ftohtë.

Megjithatë, uniteti i NATO-s nuk është hermetik. Për shembull, Hungaria, është akuzuar për pengimin e unitetit të aleancës me synim shërbimin e interesave të Budapestit për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dypalëshe me Moskën. Përveç simpatisë së hapur që ka shfaqur kryeministrit hungarez Viktor Orbán ndaj filozofive jo-liberale të Putinit, Hungaria është shumë e varur nga gazi dhe nafta ruse.

Dhe kjo ndihmon në shpjegimin e arsye pse Budapesti synon të ketë një politikë të jashtme të balancuar, duke mbetur përfituese e subvencioneve të BE-së por edhe i hidrokarbureve nga Rusia. Nga ana tjetër vendimi i Turqisë për të mos vendosur sanksione ndaj Moskës, në një kohë që zgjeron ndjeshëm tregtinë e saj dypalëshe me Rusinë, ilustron më tej se jo të gjithë anëtarët e NATO-s kanë pasur të njëjtën qasje ndaj Luftës në Ukrainë.

Të pakufizuara nga sanksionet e BE-së, importet e naftës së lirë ruse nga Turqia janë trefishuar. Po ashtu Ankaraja e ka ndihmuar de facto Rusinë të anashkalojë sanksionet perëndimore, për shembull, duke importuar gjysmëpërçues nga Evropa, përpara se t’i rieksportojë ato në Rusi.

Pastaj është debati mbi pranimin në aleancë të Suedisë dhe Finlandës, që ka nxitur tensione të mëdha midis Ankarasë dhe kryeqyteteve të ndryshme perëndimore. Nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara dhe i shumicës së qeverive evropiane, NATO do përfitojë shumë nga hyrja e këtyre 2 vendeve nordike.

“Rusia do të detyrohet të vendosë një numër shumë të madh trupash në krahun e saj verior, për të mbrojtur portin e rëndësishëm strategjik të Murmansk dhe Gadishullin Kola ku ndodhen shumë baza detare nga një sulm i mundshëm i NATO-s në rastin e një agresioni rus në Evropën Qendrore. Kjo barrë shtesë do të thotë një rrezik i konsiderueshëm për Rusinë dhe sigurisht e redukton oreksin e saj për një agresion ushtarak kundër NATO-s”- shprehet Wolfgang Pusztai, një ekspert i sigurisë.

Ndërkaq të shqetësuar për luftën e mundshme bërthamore dhe të rraskapitur nga lodhja e luftës në mes të një periudhe krize globale energjetike dhe inflacioni aktivistët dhe qytetarët në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Itali, Republikën Çeke dhe vende të tjera të NATO-s, kanë zhvilluar demonstrata duke bërë thirrje për ndalimin e dërgesave të armëve në Ukrainë.

Meqë këto vende janë demokraci, politikanët që ndajnë qëndrime të tilla mund të vijnë në pushtet në të ardhmen e afërt, ky është një faktor që nuk mund të injorohet nga Kievi. Ndërsa Lufta e Ukrainës ka hyrë tashmë në vitin e saj të dytë, shtetet anëtare të NATO-s dhe popullsitë e tyre përkatëse, përballen me mosmarrëveshje mbi masën në të cilën duhet të rrezikojnë dhe të bëjnë sakrifica për të arritur një çlirim të plotë të territorit ukrainas, përfshirë Krimenë.

Ndërsa menjëherë pas pushtimit të shkurtit 2022, në rrezik ishte mbijetesa e qeverisë së Zelensky dhe ekzistenca e Ukrainës si një shtet-komb i pavarur, sot nuk janë më. Për momentin lufta po zhvillohet mbi një pjesë relativisht të vogël të territorit ukrainas pranë kufirit rus.

Anatol Lieven, drejtor i Programit të Eurazisë  në “Quincy Institute for Responsible Statecraft”, mendon se perspektivat për unitetin e qëndrueshëm të NATO-s kundër agresionit të Rusisë do të varen nga katër faktorë: “Gjendja e ekonomisë evropiane; rreziqet e përshkallëzimit të luftës bërthamore; një humbje e mundshme e besimit në fitoren e mundshme të Ukrainës; dhe nëse vetë Rusia ofron një armëpushim. Çdonjëra ose të gjitha së bashku mund të rrisin presionin për një zgjidhje paqësore”. /albeu.com

Shënim:Giorgio Cafiero, drejtues i Gulf State Analytics. Alissa Pavia, drejtoreshe e Asociuar për Programin e Afrikës së Veriut në think-tankun “Atlantic Council”.


Shtuar 27.02.2023 17:12

Tags: