Brezi i qenve apo brez qensh!
Albeu.com
Duke bërë zapping në darkë për të parë se ç’kish ndodhur gjatë ditës që lamë pas, pasi lajmet duhet t’i ndjekësh në disa kanale për të bërë balancën, sepse disa media japin njërin ekstrem e disa të tjera japin ekstremin tjetër, dhe e vërteta i ngelet shikuesit për ta zbuluar, një vajzë e re e cila po fliste një një show televiziv dhe pyetjes se: a të ka marrë malli për familjen? Ajo i përgjigjet: me familjen jam mësuar pasi kam jetuar edhe larg tyre, por më shumë më ka marrtë malli për qenin tim, pasi nuk jam ndarë asnjëherë prej ti, pra vajza që na e mbante veten për të zgjuar dhe të emancipuar, po vuante nga malli përvëlues për qenin e saj.

Nga ana tjetër drejtuesja e këtij show, të vetëquajtur edukativ dhe emancipues, që për mendimin tim jo që nuk emeton emancipim por përkundrazi transmeton një jetë të stisur e të ngritur mbi imoralitetin dhe degjenerimin, lë pas familjen dhe fillon të pyesë për qenin si është, sa i madh, si e ka qimen, pyetje me “interes të lartë publik”, sipas saj këto gjëra janë tepër të rëndësishme për milionat e shikuesve të pretenduar që e ndjekin atë.

Ndërkohë vajza e përkëdhelur, kur themi e përkëdhelur zakonisht nënkuptojmë të përkëdhelurit nga familja apo shoqëria, por në këtë rast duhet të nënkuptojmë e përkëdhelura apo e ledhatuara e qenit apo qenve, vazhdon të tregojë me entuziazëm ndodhitë me “qenushin e saj” siç e quan ajo me përkëdheli. Ajo tregon si e përvuajtur se nuk rri dot larg tij, ndërsa larg familjes po, ajo tregon se ka ndërmarrë një udhëtim vajtje ardhje prej 10 orësh vetëm e vetëm që të qëndrojë dy orë me qenin e saj.

Mesazhi i këtij bashkëbisedimi mesa kuptova unë ishte: ta duam qenin më shumë se familjen. Vajza jonë moderne “përfaqësuese e vajzave shqiptare” siç pretendohet nga organizatorët e këtij show i pëlqen të flejë vetëm me qenin e saj, ta përkëdhelë e ta ledhatojë e ku di unë deri ku mund të shkonte fantazia e saj me qenin po të mos e kish ndërprerë prezantuesja.

Kohët e fundit edhe në vendin tonë janë shtuar familjet apo personat që bashkëjetojnë me qenin, duke qenë bashkë me të në një shtrat, në një tavolinë madje duke ngrënë në një pjatë. Sot njerëzit po preferojnë të jetojnë vetëm me qenin e tyre “atë që duan më shumë së gjithçka”, siç thotë dhe e ledhatuara e qenit.

Njerëzit sot ngushëllojnë veten dhe për të thyer vetminë blejnë nj qen. Madje marrëzia shkon deri aty sa çiftet e reja preferojnë të marrin një qen sesa të bëjnë një fëmijë, pasi për ta qeni është me pak i lodhshëm. Të tjerë e mbajnë qenin në shtrat, ndoshta sepse kështu kanë parë nëpër filma apo sepse kështu bën “shoqëria moderne” dhe ne jemi një shoqëri moderne. Vallë mbajtja e një qeni në shtrat i bën shqiptarët më të modernizuar?

Në të vërtetë nuk kam asgjë kundër qenit si kafshë, pasi si e tillë çdo kafshë është fisnikë në qenësinë e saj, por problemi qëndron te raporti jonë me qenin, te marrëdhënia jonë me të, pasi siç po shihet i kemi dhënë qenit më tepër rol sesa duhet, kemi zëvendësuar familjen, fëmijët apo edhe partnerin me qenin.

Në rrethana të tilla, nuk po e quaj fenomen pasi kam besim dhe shpresë se ende nuk është përhapur aq masivisht, pasi ne si shqiptarëve na kanë mbetur akoma disa vlera dhe norma të vyera të familjes që për fat i kemi ruajtur.

Dëshira për të patur një qen në shtëpi, në shtrat, ekziston tek të rinjtë më tepër dhe nuk po di si ta quaj, po jetojmë në kohën kur qentë po marrin një rëndësi të madhe dhe po zënë vendin e njerëzve, në këtë rast do duhet ta quajmë brezi i qenve me fat, apo shoqëria jonë po rrit një brez të rinjsh të dashuruar pas qenve dhe do të na duhet t’i quajmë brez qensh!
Shtuar më 01/04/2013, ora 13:11
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori