Nderime të sinqerta, apo ping-pong në Sllupçan?
Albeu.com
Gjithsesi se e gjithë kjo lojë ping-pongu, nuk duket edhe aq naive, nëse kësaj i shtohet edhe komponenti i anketave të shpeshta, rezultatet e të cilave flasin se edhe krahas epërsisë së dy partive në pushtet (BDI-VMRO), rejtingu i tyre vazhdimisht është në ulje.

Në Sllupçan të Kumanovës, ku që nga 2001-shi janë bërë eksperimente të ndryshme me qëllim të përfitimit të pikëve politike, ditë më parë ndodhi habia e radhës për shumë qytetarë të Maqedonisë: Eprorë të ARM-së vendosën kurora lulesh tek Kompleksi memorial i dëshmorëve të UÇK-së, në shenjë nderimi së bashku me kreun e Mbrojtjes së Maqedonisë, veprim ky nga i cili u distancua VMRO-DPMNE dhe Shtabi i përgjithshëm i ARM-së. Për t’ia shtuar nishanet dhe namet këtij evenimenti, ishte angazhuar edhe eskorta partiako-partizane e BDI-së.

Si të nemitur dhe me shumë entuziazëm, kureshtje e kuriozitet, rrjedhat e këtij eventi i ndoqën në veçanti shqiptarët që kishin ngelur gojëhapur. Larg tyre nuk ngelën as maqedonasit…

Por përshtypjes së parë të qytetarëve, qëllimin e mirëfilltë të nderimit të dëshmorëve, ia zbehën dyshimet nëse vërtetë eprorët e ARM-së, pa njohurinë e kryeministri Gruevski apo instancave tjera gjegjëse të ARM-së, po merrnin pjesë në këtë zhvillim që kishte të bëjë me U{K-në?. Kjo nxjerrë në pah respektivisht shton edhe më tepër dyshimet për ekzistimin e një skenari paraprakisht mirë të përgatitur me qëllim të përfitimit të pikëve politike të VMRO tek maqedonasit dhe BDI-së tek elektorati shqiptarë. Dozën e dyshimit edhe më tepër e shtoi, mënyra e reagimit – tepër e sofistikuar dhe sinkronizuar! Reagimet e partizanëve partiakë të të dyja palëve (BDI-VMRO) , nuk dhanë të kuptohet se ndonjëra nga palët e implikuara në këtë përplasje teatrolo-komiko-dramaturgjike, vërtet shpalos inatin partiak. U la të nënkuptohet se nga rolet e gjithë spektri ishte I kënaqur, dhe se në momentin e reagimeve, po priteshin dhe efektet gjegjësisht rezultatet e para.

Jemi mësuar që ne gazetarët, reagimet e para për çdo zhvillim ti peshojmë nëpërmjet reagimeve të qytetarëve të thjeshtë që shpalosen zakonisht në ueb-faqet e mediave, dhe jo të fanatikëve dhe partizanëve partiakë, të cilët si kërpudha pas shiut, shfrytëzojnë ‘facebook’-un, për të plasuar gjithçka.

Gjithsesi se e gjithë kjo lojë ping-pongu, nuk duket edhe aq naive, nëse kësaj i shtohet edhe komponenti i anketave te shpeshta, rezultatet e të cilave flasin se edhe krahas epërsisë së dy partive në pushtet (BDI-VMRO), rejtingu i tyre vazhdimisht është në ulje. Pra, ky fakt, i ka nxitur partitë pushtetbërëse, të fillojnë ‘fushatën’ për krijimin e hapësirës dhe senzibilizmin, për mbajtjen eventuale te zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, pikërisht në momentin kur situata e përgjithshme (e shtrenjtimit të përditshëm të standardit jetësor nëpërmjet shtrenjtimit të rrymës, derivateve për 1 muaj 10 denarë, tashti së fundi paralajmërohet edhe rritja e çmimit të bukës për 3 denarë) nuk është në favor të qeveribërëse, por e kundërta, ka tendencë të rënies së mëtutjeshme të rejtingut të tyre.

Mirëpo këto klishe, shabllone, stereotipa ose filma tanimë të parë e konsumuar, s’duken atraktivë në kohë dhe hapësirë. Riciklimi i tyre, më shumë se bezdisje, krijon një averzion dhe mbi gjitha imazh dhe pasqyrë bajate. Shpresa e hedhur në formë te grepit në syprinë, nuk kapet dot nga dhëmbët elektoral të qytetarëve. Aktualiteti i sotëm kërkon vepra dhe një pragmatizëm të tipit konkret dhe racional, dhe jo ‘refrene’ të hiteve të cilëve tani iu ka ikur moda.

P.S.
Ata që pa marifete dhe në mënyrë të sinqertë duan të nderojnë Djemtë më të mirë të UÇK-së, eshtrat e të cilëve prehen në Sllupçan të Kumanovës, do të kishin bërë mirë që para së të përkuleshin, të kishin hedhur syrin nga fundamenti me shufra, i cili pret ngritjen e shtatores që nga 2001-shi. Dëshmorët nderohen me vepra, sepse ata flijuan veten.
Shtuar më 15/08/2012, ora 14:28
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori