Fitorja e gazetarëve shqiptarë në kuvendin e dështuar
Pëlqej
Albeu.com
nga Fejzi HAJDARI
Do të duhet akoma kohë që Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) të fitojë kryetarin e parë shqiptarë. Pa marrë parasysh nëse kjo kohë do të zgjasë 15 - 20 ditë (kur duhet të mbahet kuvendi i anuluar i SHGM-së), ose 4 vite, deri në Kuvendin e radhës zgjedhor, është e qartë se në mesin e gazetarëve maqedonas akoma është i madh numri i atyre, që shqiptarët i shohin si të papërshtatshëm për të udhëhequr këtë shoqatë.
Kuvendi zgjedhor që duhej të mbahej në 20 nëntor, megjithatë, ishte një rast i mirë për të dëshmuar se gazetarët në Maqedoni, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, mund të bashkëpunojnë në mënyrë të suksesshme në një shoqatë të përbashkët.
Do të bëhen analiza të shumta për shkaqet: Pse dështoi ky Kuvend, ku dy gazetarë shqiptarë ishin kandidatët më seriozë për të fituar (deri sa në lojë nuk u përzien edhe shoferë).
Ana pozitive, e këtij dështimi skandaloz (madje-madje të qëllimshëm), është se gjërat tani janë shumë më të qarta, sepse, si do që të rrjedhin zhvillimet më tej, gazetarët shqiptarë do të dalin fitimtarë nga gara për organet e reja drejtuese të SHGM-së.
Në periudhën 15-20 ditore, deri në mbajtjen e Kuvendit të anuluar, mund të ketë shumë tentime të reja për manipulim.
Me çdo tentim të ri për manipulim që gazetarë shqiptarë të mos vijë në krye të SHGM-së, gazetarët maqedonas, të cilët ndjenjat antishqiptare i kanë më të forta se pasionin ndaj profesionit, do të manipulojnë vetëm me vetveten. Sepse, manipulimet që po bëjnë ata për të pamundësuar zgjedhjen e një kryetari shqiptar të SHGM-së, po nxjerrin në sipërfaqe një të vërtetë të kamotshme - se në fakt kanë qenë shumica e gazetarëve maqedonas ata të cilët nuk kanë dashur një shoqatë të përbashkët, e jo gazetarët shqiptarë.
Dështimi eventual përfundimtar i këtij Kuvendi, do t’i hapë rrugën themelimit të mirëfilltë të një shoqate të gazetarëve shqiptarë. Tani e tutje, kjo e drejtë do të jetë legjitime. Çdo tentim i deritanishëm i gazetarëve shqiptarë për të formuar shoqatë të tyre të veçantë nga shoqatat ndërkombëtare të gazetarëve, por edhe nga përfaqësitë diplomatike në Shkup, është vlerësuar si hap jo i qëlluar, i cili nuk përputhet me synimet e profesionit të gazetarisë.
Tani e tutje s’ka bazë për ekzistimin e këtij paragjykimi, kurse gazetarët shqiptarë edhe më tej do të mbeten të gatshëm të bashkëpunojnë me kolegët e tyre maqedonas. (lajm)
Shtuar më 22/11/2010, ora 10:00
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori