Turqia: Go to Hell, Europe!
Albeu.com
Në një ese të Jean-Dominique Giuliani-t, titulluar "Kthesa e Turqisë, gabim strategjik", botuar në këtë gazetë dy ditë më parë, flitej me shqetësim mbi zhvillimet e reja në politikën e Turqisë dhe merrej në mbrojtje refuzimi që Franca, Gjermania dhe ndonjë vend tjetër europian vazhdojnë t’i bëjnë pranimit të Turqisë në BE. Duket se vendet e BE-së po tregojnë shqetësim mbi atë që mund të quhet Realpolitik e Turqisë dhe se “çështja turke” po bën vend gjithnjë e më shumë në mendimin gjeopolitik dhe në analizat mbi sigurinë në Uashington dhe në kryeqytetet e Europës. Sidoqoftë, edhe ky autor gabon rëndë në vlerësimin e qëndrimit që BE vazhdon të mbajë ndaj Turqisë, duke konsideruar të gabuar jo politikën hipokrite të Brukselit ndaj Turqisë dhe lënien e saj jashtë BE-së, por pranimin e Turqisë në të.

Në fakt, ajo ç’po ndodh dhe ç’mund të ndodhë eventualisht me Turqinë, është jo për shkak të saj, por për shkak të qëndrimeve të BE-së ndaj saj. Standardi i dyfishtë me të cilin Brukseli e ka trajtuar deri më sot çështjen e pranimit të Turqisë në BE me të drejtë ka krijuar indinjatë dhe zemërim në radhët e politikanëve dhe në një masë të gjerë të qytetarëve turq. Kur më 1997 Këshilli i Europës u njohu statusin e vendit kandidat pesë shteteve ish-komuniste (Polonisë, Estonisë, Hungarisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë) dhe përjashtoi nga lista Turqinë, me argumentin se ky vend nuk përmbushte kriteret ekonomike dhe politike (të Kopenhagenit), reagimi i Turqisë ishte kërcënues: “Go to Hell, Europe!” (Në djall të vesh, Europë!). Turqisë iu njoh statusi i vendit kandidat më 1999 dhe në tetor 2005 Brukseli hapi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Ankaranë. Sidoqoftë, 11 vjet pas njohjes së statusit të vendit kandidat dhe 5 vjet pas fillimit të negociatave me Brukselin, anëtarësimi i Turqisë në BE duket ende më shumë i pamundur, sesa i mundur.

Çfarë mund të bëjë Turqia në rrethana të tilla, kur, në Ankara, qëndrimi i Brukselit ndaj aspiratës dhe përpjekjeve të saj të sinqerta për anëtarësim në BE shihet gjithnjë e më shumë si hipokrizi dhe si një qëndrim poshtërues për një vend të madh dhe për një komb krenar 72 milionësh, siç janë turqit? Qëndrimi i pasinqertë i Brukselit ndaj Ankarasë dhe stanjacioni i negociatave mbi anëtarësimin e saj, përcjellin mesazhe shumë negative për popullin turk dhe për mbarë botën muslimane. Nëse Brukseli do të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim si deri më sot ndaj aspiratave të popullit turk dhe reformave të qeverisë së tij për t’u bërë pjesë e BE-së, rezultati do të jetë një Turqi edhe më e zhgënjyer dhe e përçarë midis forcave islamiste fondamentaliste dhe atyre nacionaliste e militariste, të cilat, paskëtaj, do ta kthenin vështrimin drejt Lindjes së Mesme dhe Azisë Qendrore për të gjetur aleatë dhe partnerë të rinj, ndërsa do ta shihnin Europën si kundërshtaren e tyre.

Kjo nuk është thjesht hamendje. Kjo po ndodh aktualisht, fjala vjen, në marrëdhëniet e Turqisë me Iranin. Edhe pse anëtare e NATO-s, Turqia është shprehur në favor të së drejtës së Iranit për të prodhuar energji bërthamore për përdorim paqësor dhe ka votuar, në qershor të këtij viti, si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kundër sanksioneve ndaj Iranit të propozuara nga Uashingtoni dhe vendet e BE-së. Turqia e sheh Iranin si një partner ekonomik të rëndësishëm. Vetëm gjatë viteve 2002-2010 tregtia midis Turqisë dhe Iranit është rritur nga 1.2 në 10 miliardë USD dhe pritet të trefishohet në pesë vitet e ardhshme. Është jo e rastësishme që vetëm pak ditë më parë, presidenti turk Erdogan pohoi se nuk ka “asnjë arsye” pse Turqia të mos krijojë “mekanizma tregtarë të pakufizuar me Iranin njëlloj si ata me Europën”. Reagimi i Teheranit ishte i menjëhershëm: zv/presidenti iranian Mohammad Reza Rahimi deklaroi se “në botën e sotme, Irani nuk ka mik më të mirë se Turqinë ”. Fill pas kësaj, Teherani e ftoi Ankaranë të bashkëpunojnë në programin e tij për të mundësuar, brenda vitit 2017, dërgimin e një kozmonauti në hapësirë. Në vitin 2017 porta e BE-së do të jetë ende e mbyllur për Turqinë. Por, nëse Europa vazhdon ta mbajë këtë vend jashtë projekteve integruese të saj, Irani e sheh Turqinë fqinje si “një vend shumë të rëndësishëm për sigurinë politike dhe ekonomike të tij”. Nuk duhet lënë jashtë vëmendjes parashikimi që në mes të këtij shekulli Turqia dhe Irani do të kenë, veç e veç, një popullsi më të madhe se Franca dhe Anglia, të marra së bashku.

Nëse qëndrimi i BE-së ndaj Turqisë nuk ndryshon, kjo e fundit mund të shkonte edhe më tej, duke dalë në mënyrë të njëanshme nga Bashkimi Doganor me BE-në dhe duke i orientuar edhe më shumë interesat dhe vëmendjen e saj, përveç Iranit, edhe më gjerë në rajonin e Lindjes së Mesme (me Sirinë, fjala vjen) dhe në Azinë Qendrore. Edhe pse Turqia ka shumë më pak afinitet natyror me botën arabe, sesa mendojnë zakonisht elitat politike në Francë apo në Gjermani, nëse ajo, siç shkruan një analist i huaj, detyrohet të lidhet me armiqtë e Europës në botën muslimane dhe të vihet në krye të tyre, në rolin e saj të dikurshëm para Ataturkut, koston do ta paguante vetë Europa.

Ky skenar përmban edhe një rrezik tjetër, akoma më serioz. Nëse Turqisë i shtyhet për në kalendat greke, ose i refuzohet anëtarësimi me të drejta të plota në BE, ajo mund të bëjë një zgjedhje tjetër, që mund të ishte afrimi me Rusinë. Një partneritet turko-rus në çështje ekonomiko-tregtare dhe politike, por ndoshta edhe në çështje ushtarake, do ishte një sfidë shumë serioze për BE-në, do të çonte në dobësimin e këtij unioni dhe në krijimin e konjukturave që prodhojnë më shumë pasiguri.

Pavarësisht një historie të gjatë armiqësore midis tyre, Turqia dhe Rusia, sidomos pasi këto dy vende pushuan së qeni perandori, kanë dëshmuar se ndajnë interesa të përbashkëta në disa drejtime. Bashkimi Sovjetik ishte e para fuqi e madhe që njohu Turqinë gjatë luftës së saj për pavarësi dhe, qysh më 1925, nënshkroi Paktin e Mossulmimit me Republikën e sapokrijuar të Turqisë. Në botën dypolare që u krijua pas Luftës së Dytë Botërore, Turqia i bëri vend vetes në kampin Perëndimor, duke u vënë në vijën e parë të frontit gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe duke i mohuar Moskës daljen në Mesdhe përmes Detit të Zi dhe ngushticave të Bosforit dhe të Dardaneleve. Sidoqoftë, marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Rusisë nisën të normalizohen përpara mbarimit të Luftës së Ftohtë. Në vitin 1984 Moska dhe Ankaraja nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme për gazin natyror dhe, duke filluar nga viti 1987, nafta dhe gazi rus i kanë shërbyer zhvillimit të ekonomisë turke, e cila është sot një ndër dhjetë ekonomitë më dinamike në botë. Në vitin 2009, gjatë vizitës së kryeministrit rus Vladimir Putin në Ankara, Turqia i dha Gazpromit rus të drejtën të kryejë studime sizmike dhe fizibiliteti në pjesën turke të Detit të Zi. Nga ana e saj, Rusia u angazhua në ndërtimin e naftësjellësit (555 km të gjatë), që do të lidhë portin Samsun në Detin e Zi me Ceyhanin. Këto dhe të tjera marrëveshje dypalëshe kanë krijuar një paketë të rëndësishme bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar midis Moskës dhe Ankarasë. Shumë domethënës është veçanërisht fakti që Turqia i ka hequr vizat për shtetasit rusë afër 20 vjet më parë, ndërsa Rusia, e cila zbaton një regjim shumë të rreptë vizash për shtetasit e huaj, vendosi, në qershor të këtij viti, t’i heqë vizat për shtetasit turq. Të paragjykuar, të padëshiruar dhe të diskriminuar në Europë, turqit do të jenë, këtej e tutje, të mirëpritur në Rusi.

Edhe pse Rusia dhe Turqia konkurrojnë për influencë në Azinë Qendrore dhe në rajonin e Kaukazit, Moska nuk e sheh me shqetësim daljen e Turqisë si një aktor politik i pavarur në arenën ndërkombëtare. Nëse pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Moska u ndje disi e shqetësuar nga retorika e Ankarasë mbi “një botë të re turkike që po krijohej, që nga Adriatiku deri në muret e Kinës”, sot liderët e Kremlinit ndihen të sigurt në pozitën e tyre në marrëdhëniet me Turqinë. Madje, tensionet e krijuara në marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Uashingtonit në vitin 2003, kur Parlamenti Turk refuzoi të lejonte forcat ushtarake amerikane që të sulmonin Irakun nga territori turk dhe nuk lejoi anijet ushtarake amerikane të hynin në Detin e Zi, ashtu si edhe vetoja e Ankarasë ndaj iniciativës së NATO-s, në gusht të vitit 2008, për të dërguar avionë që të patrullonin në hapësirën ajrore të Turqisë në shenjë solidariteti me Gjeorgjinë, kur Rusia shkeli territorin e kësaj të fundit, të gjitha këto qëndrime të Ankarasë çojnë ujë në mullirin e Kremlinit.

Përballë qëndrimit dyfaqësh të Bashkimit Europian, Turqia po e ridimensionon politikën e saj të jashtme, duke zëvendësuar sloganet emocionale me një realpolitik. Kjo është qartazi në interes edhe të Moskës dhe të Teheranit, fërkimet e vazhdueshme të të cilëve me Brukselin dhe Uashingtonin janë bërë tashmë një tipar esencial i politikës globale. Duke qenë se Azia Qendrore, me siguri do të jetë, në një të ardhme jo të largët, rajoni i konflikteve më tronditëse, në të cilin do të konvergojnë interesat e fuqive të mëdha të globit, është në interesin e Uashingtonit dhe të Brukselit që t’i japin Turqisë çdo përkrahje, për ta mbajtur atë në krahun e Perëndimit demokratik, duke e pranuar në BE si një vend anëtar me të drejta të plota, për të evituar, sa s’është vonë, krijimin e një Triple Alliance midis Ankarasë, Moskës dhe Teheranit. Edhe pse Turqia ka shumë nevojë për Europën, është Europa ajo që ka më shumë nevojë për Turqinë. (mapo)
Shtuar më 25/09/2010, ora 10:25
Tage: Fatos tarifa

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori