Vota sipas filtrit të fitores Meta
Albeu.com
Përpara zgjedhjeve kam shprehur mendimin se rezultatin e votimit do ta përcaktonin dy variable: më një anë pakënaqësia në rritje e njerëzve që favorizonte PS dhe, më anë tjetër, mundësia e manipulimit të votës që, sipas gjykimit tim, favorizonte PD-në. Pasi PS bëri koalicion me LSI, m’u forcua mendimi se kjo do të ndikonte mbi pakënaqësinë për shkak të kostos morale të këtij koalicioni. Në këto kushte, PD edhe mund ta kompensonte më lehtë me manipulim diferencën që ishte në disfavor të saj me rrezikun që në fund të zgjedhjeve të kishim dy fitues e Shqipëria të tërhiqej zvarrë në situatat e mosnjohjes së rezultatit. Siç dihet tashmë nuk ndodhi kështu.

PS vërtet s’pati veçse një ngritje të lehtë në krahasim me katër vjet më parë, por PD nuk pati asnjë mundësi kompensimi me manipulim, pasi pati rrjedhje të madhe. Ndërkaq, çka ishte më befasuesja, pamë ngritjen e LSI në 17 deputetë, ndërkohë që kjo nuk pritej. Si mund ta lexojmë këtë rezultat të papritur edhe për opozitarët më optimistë? Që në fillim më duhet të them se kjo shpjegohet me faktin se pakënaqësia për Sali Berishën dhe partinë e tij dhe nevoja për ndëshkim ka qenë shumë e madhe. Dhe ky ndëshkim, sipas meje, ka qenë i trefishtë: Berisha u ndëshkua, së pari, për autoritarizmin dhe arrogancën në rritje, që u shfaq jo vetëm në kapjen e shumë institucioneve, por edhe në gjuhën e tij, në paaftësinë për të dëgjuar kritikat, me mungesën dramatike të shtetit të së drejtës në vend në favor të mbushjes së administratës me militantë arrogantë dhe abuzues.

Një shkak i dytë, i lidhur pa dyshim me të parin, kanë qenë politikat e tij ekonomike: ngulmimi për të ndërtuar e mburrur rrugët, edhe kur ato nuk mbaroheshin e nuk paguheshin, çimentifikimi abuziv i vendit, vendimet për sjelljen e plehrave, universitetet skandaloze private etj. Shkurt, fakti që në thelb gjithnjë e më shumë ekonomia e vendit u kthye në shërbim ndaj përfitimeve të pak klientëve e familjarëve, ndërkohë që gjendja ekonomike e njerëzve të thjeshtë sa vinte e rëndohej.

Një element tjetër i pakënaqësisë ishte korrupsioni dhe klientelizmi. Premtimi i Berishës së vitit 2005 për të ndëshkuar sistemin oligarko-mafioz të korrupsionit jo vetëm dështoi rëndshëm, por ai akuzohet edhe për thellim të këtij sistemi. Ngjarje të tilla si 21 janari apo Gërdeci, që nuk gjetën drejtësi në gjykatë, u ndëshkuan me votë.

Këta tre faktorë besoj se janë kryesorët, që kanë ndikuar në rritjen e pakënaqësisë dhe ndëshkimin e Berishës. Megjithatë, teksa bëjmë këtë analizë mbi pakënaqësinë dhe ndëshkimin, nuk mund të mos kemi parasysh edhe një fitues të rëndësishëm në këtë zgjedhje, që mund të na shërvijon bejë edhe si filtër ku të kalojmë tre faktorët e mësipërm në mënyrë që të gjejmë peshën specifike të secilit. E kam fjalën për fitoren, ose më saktë shpërblimin që i dha votuesi Ilir Metës. Ta donte mendja që, kur bëhet fjalë për keqqeverisjen përsa i përket sistemit ekonomik dhe për korrupsionin, pakënaqësia e njerëzve do të duhej të kishte përfshirë edhe Ilir Metën si pjesëtar i qeverisë dhe njëherësh i akuzuar rëndshëm për korrupsion e klientelizëm. Mjafton të kesh parasysh akuzat e Ramës për “njeriun me bllok në dorë” që sollën 21 janarin apo faktin se LSI ka qenë parti e klientelizmit par exellence.

Këtu kemi një paradoks që duhet shpjeguar. Mund të ishte ndëshkuar më shumë Berisha dhe të ishte ndëshkuar ca më pak Ilir Meta, duke iu dhënë më shumë vota qoftë Partisë Socialiste, qoftë edhe partive të tilla si FRD e Bamir Topit apo AK e Kreshnik Spahiut. Mirëpo kjo nuk ndodhi. LSI u rrit shumë. Si shpjegohet? Duke përdorur si filtër fitoren e Metës, shpjegimi më çon tek ideja se pakënaqësia e shqiptarëve më së pari është përqendruar tek arroganca dhe autoritarizmi në rritje i Berishës. Me rritjen e kultit të tij Sali Berisha mori të gjitha përgjegjësitë, duke e shkarkuar pjesërisht Ilir Metën edhe nga përgjegjësitë e veta. Sali Berisha po synonte t’i afrohej gjithnjë e më shumë një fantazme të frikshme për shqiptarët, asaj të Enver Hoxhës, dhe ata e ndëshkuan për këtë. Ndaj të keqes së njeriut që kërkon pushtet absolut shqiptarët kanë më shumë imunitet, më shumë ndjeshmëri dhe instrumente për ta luftuar, ku hyn edhe pluralizmi partiak. Një pjesë e votës dhënë Ilir Metës duhet shpjeguar me atë se braktisja që i bëri Ilir Meta Sali Berishës dhe ëndrrës së tij për t’u bërë mbret i shqiptarëve i ka dhënë këtij disa pikë, madje edhe duke pasur parasysh simetrikun e Berishës në krahun tjetër përsa i përket etjes për pushtet, Edi Ramën.

Personalisht kam qenë i bindur se të keqen e njëshit autoritar dhe arrogant që kërkon pushtet absolut ne e kemi mundur në vitin 1990, e kemi rimundur më 1997-n dhe se nuk duhej të përqendroheshim thjesht e vetëm këtu, por edhe te të këqijat që nuk i kemi mundur ende e që janë pjellë e kohëve të reja. Pra se e keqja nga e cila vuajnë shqiptarët ka një emër shumë më të madh se sa emri Berisha dhe familja e tij, siç ka ekzagjeruar, sipas mendimit tim, fushata e opozitës dhe mediave pranë saj, duke manipuluar edhe votuesin. Edhe vetë fakti që Sali Berisha u largua pa gjak (siç ngulmonin se do të ndodhte, edhe ditën e zgjedhjeve, kundërshtarët e tij) tregon për këtë. Pra, sipas meje, lufta kundër mbeturinave të autoritarizmit enverist që vazhdon të shfaqet në emrin Berisha (por edhe Rama e Meta etj.) do të qe dashur të shoqërohej edhe me luftën kundër korrupsionit, klientelizmit dhe sistemit oligarko-mafioz të ndërtuar, pasi edhe vetë këta emra etjen e tyre për pushtet e mbështesin mbi këtë sistem të ri.

Në këtë pikë duhet ndalur për t’i shtuar një paragraf të rëndësishëm analizës së votës. Vota tregoi se shqiptarët kanë ndëshkuar më së shumti autoritarizmin e njeriut që kërkon pushtet absolut, por shumë më pak korrupsionin dhe klientelizmin e sistemit oligarko-mafioz. Vota tregoi se ndërsa shqiptarët kishin alternativë ndaj njëshit autoritar dhe arrogant, ato nuk kishin dhe nuk kanë ende asnjë alternativë ku të hedhin votën kundër këtij sistemi mafioz. Fitorja e Ilir Metës në këtë aspekt flet shumë. Ka shumë zëra tejet të besueshëm që një pjesë të konsiderueshme të fitores befasuese të LSI e shpjegojnë me blerjen e votës, çka tregon se klientelizmi nuk është ndëshkuar në këto zgjedhje. Ka po ashtu shumë zëra që tregojnë se për të luftuar Berishën dhe të fortët e tij deri edhe në Polici, Partia Socialiste ka angazhuar grupe dhe familje të lidhura me krimin, çka ngre dyshime serioze për atë nëse sistemi oligarko-mafioz është ndëshkuar me këtë votë, apo rrezikon të marrë shpërblimin e radhës.

Largimi i Berishës, pra, duhet lexuar së pari si sukses përsa i përket largimit të rrezikut të rritjes edhe më të pushtetit të tij personal dhe ngrirjes së sistemit që e mbante atë në pushtet. Por ajo duhet parë edhe si heqje e një alibie për të gjithë ata që kanë mbyllur sytë ndaj sistemit oligarko-mafioz, madje kanë bashkëpunuar me të, në emër (gjoja) të luftës me Berishën autoritar dhe familjen e tij. Që nesër e prapa prova e madhe që ka përballë shoqëria jonë është lufta për të dalë nga rrënimi ekonomik e për të ndërtuar shtetin e së drejtës që s’duhet të jetë thjesht luftë kundër individit që kërkon pushtet absolut, por edhe luftë kundër sistemit oligarkomafioz të korrupsionit dhe klientelizmit.
Shtuar më 27/06/2013, ora 10:54
Tage: Panorama

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori