PS, bashkë apo vetëm
Albeu.com
Partia Socialiste, që përfaqëson forcën më të madhe opozitare në vend, është në një situatë që po duket shumë konfuze përsa i përket strategjisë së saj për të shkuar në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Në retorikat e PS sot mund të dallosh dy korrente. Sipas njërit prej tyre, koalicioni duhet zgjedhur me sa më shumë parti, duke mos përjashtuar edhe LSI, e cila, tani që kryetari i saj ka kapërcyer edhe “rrezikun” e gjyqit, mund të luajë më lirisht në skenën politike. Sipas një korrenti tjetër, që u formulua së fundi nga Ben Blushi dhe që duket më afër idesë së Ramës, Partia Socialiste duhet të bëjë koalicion me zgjedhësit, dhe jo me partitë e vogla, aq më pak me LSI. Përputhur me këto korrente shtrohet edhe çështja e korrigjimit të sistemit zgjedhor: a duhen bërë, pra, ndryshime që të sigurojnë një mundësi më të madhe për të vegjlit për të ekzistuar, apo duhet mbajtur ky që kemi që, siç dihet, i diskriminon, gati i eliminon, të vegjlit?
Shumica e komentojnë këtë konfuzion duke iu referuar ambicieve të Ramës për gjithëpushtetshmëri, apo besimit se PS mund t’i fitojë zgjedhjet e vetme (bazuar edhe në sondazhe), por, sipas mendimit tim, konfuzioni ka rrënjë më të thella, ai është rezultat i një ecjeje të gjatë të PS në një rrugë pa krye që sot e ka çuar në udhëkryqin që formulohet me pyetjen: bashkim, apo pastrim? Madje, do të thosha se formulimi më i saktë është: hall të bashkohesh, hall të pastrohesh. Le ta shpjegoj se ç’dua të them. Kur kemi parasysh akuzat e vazhdueshme të PS ndaj maxhorancës, që flasin për rrezikimin e themeleve të një shteti demokratik, për autoritarizëm, për kapje të institucioneve, nuk mund të mos vësh re se ato nënkuptojnë nevojën e bashkimit të sa më shumë forcave opozitare. Pra, nëse kali kryesor i betejës elektorale të PS do të mbështetej në këto akuza, kjo nënkupton bashkimin e sa më shumë aktorëve politike. Pra, fjala “bashkim” bëhet prioritare në këtë aspekt. Por, një akuzë tjetër që i bën PS maxhorancës, po aq e fortë sa kjo e para, është akuza për korrupsionin galopant, krijimin e monopoleve shoqëruar me premtimin se opozita në pushtet do t’i eliminojë këto dhe do të sjellë një “rilindje” shqiptare. Kuptohet se kjo është një akuzë që shërben më shumë për veshët e elektoratit të gjerë, sesa për veshët e liderëve të partive të ndryshme. Por kjo akuzë vë në plan të parë një tjetër fjalë, të kundërt me të parën: atë “pastrim”. Me fjalë të tjera, nëse “bashkimi”, nën emrin e rrezikimit të themeleve të demokracisë, nënkupton mundësisht edhe bashkimin me Ilir Metën; “pastrimi” nënkupton largimin mundësisht të sa më shumë elementëve që e diskreditojnë PS në sytë e elektoratit të gjerë, pra të atyre që dihet se kanë bredhur nga një maxhorancë në tjetrën thjesht e vetëm për interesa klientelare, të lekut, të tenderimeve etj. Kuptohet se kjo nevojë e përjashton automatikisht LSI, e jo vetëm. Gjithashtu, në kontekstin e nevojës së pastrimit, hyjnë, sipas meje, edhe dy propozime të fundit të PS që kanë dalë: i pari nga Rama, kur ka folur për futjen e taksës progresive, që dihet se është një reformë që vjen nga e majta në emër të një shpërndarjeje më të barabartë të të ardhurave dhe i dyti nga Blushi, që ka folur më gjerësisht për nevojën e krijimit të një profili ideologjik të majtë të kësaj partie, çka nënkupton, mes të tjerash, edhe një përfaqësim të shtresave më të brishta të shoqërisë, të punëmarrësve, dhe jo të punëdhënësve etj. Nuk ka pikë dyshimi se të dyja këto propozime nënkuptojnë që PS të distancohet si nga lidhjet e shumta që ka me biznesmenë të ndryshëm që e kanë të lidhur fatin e bizneseve të tyre më shumë me këtë parti sesa me atë të Berishës e që mezi presin që Rama të kthehet në pushtet që të rifillojnë të “normalizojnë” fitimet e tyre, ashtu edhe nga parti që, edhe pse kundërshtare të Berishës, nuk kanë program të majtë.
Kësisoj, nëse nga një anë “pastrimi”, ashtu siç e përshkrova më sipër, i duhet PS për të fituar besimin e humbur te zgjedhësit e thjeshtë në mënyrë që të marrë sa më shumë vota, nga ana tjetër, ky pastrim do ta zhvishte atë nga shumë mundësi, veçanërisht financiare e mediatike, që i ka siguruar nëpërmjet të pasuruarve të këtij vendi. Po ashtu, nëse më një anë “bashkimi: i siguron PS më shumë aktorë në lojë, për të mobilizuar zgjedhësit, më anë tjetër, bashkimi me çdo lloj elementi ia zbeh rëndshëm kredibilitetin te zgjedhësit kur dihet se një nga akuzat që e ka rënduar atë është pikërisht se ajo ka përfaqësuar interesat e më të pasurve në këtë vend.
PS ndodhet, pra, në një udhëkryq të vështirë, sipas meje, pasi ka ecur qorrazi në të njëjtën rrugë në të cilën ka ecur edhe rivalja e vet, PD-ja, e cila duket qartazi se sot e ka bërë zgjedhjen e vet: “bashkimin” me çdo lloj elementi, me forcë apo me dëshirë, nëpërmjet përdorimit dhe keqpërdorimit të pushtetit me besimin që ky bashkim do të dalë më i fortë se sa një opozitë konfuze dhe e përçarë midis nevojës për bashkim dhe asaj për pastrim.
Cila është zgjedhja më e mirë: “pastrimi”, apo “bashkimi” që qartazi kundërshtojnë njëri-tjetrin? Pyetja shtrohet për PS-në, po kjo pyetje shtrohet edhe për publikun e gjerë, sepse interesat e njërit dhe interesat e tjetrit mund të përputhen, por edhe mund të kundërshtojnë njëri-tjetrin. Një dalje e PS në zgjedhje përkrah LSI, sigurisht do të jepte sinjalin se pakgjë nuk do të ndryshojë në Shqipëri përsa i përket korrupsionit, por do të ishte sinjal i qartë për elektoratin se autoritarizmi i Berishës, rreziku i kapjes prej tij të të gjitha institucioneve i ka bashkuar të gjithë e, në këtë rast, fushata do të duhej të impostohej si luftë kundër autoritarizmit dhe do të kërkonte premtime konkrete nga opozita e bashkuar për vendosjen dhe forcimin e institucioneve të pavarura. Por, sigurisht, ky bashkim do të zbehte shumë mundësinë e një fushate me akuza për korrupsion ndaj maxhorancës, kurse fjalën “rilindje”, aq të përdorur së fundi nga Rama, do ta bënte krejt demagogjike. Nga ana tjetër, një shkuarje vetëm me pretendimin e pastërtisë dhe të kthimit të PS në një parti të vërtetë europiane, sipas mendimit tim, nuk është kredibël në një kohë sa ç’është periudha njëvjeçare që na ndan nga zgjedhjet. Sepse mua më duket se PS nuk ka forca të bëjë ndonjë pastrim dhe kthesë ideologjike të vërtetë majtas me njerëzit që ka sot në krye, duke filluar që nga Edi Rama, ngaqë shumica e tyre karrierën ia dedikojnë bërjes instrument të më të pasurve të këtij vendi, duke përfshirë në radhë të parë veten dhe njerëzit e tyre të afërm.
Zgjedhja, sipas meje, është në një udhëkryq vërtet të vështirë. Shumëçka do të varet edhe nga si do të luajë aktori Berisha, por edhe aktori Meta, gjatë këtij viti dhe vitin tjetër. Dhe kjo do të duket që me zgjedhjen e Presidentit. Nëse, siç po duken bathët deri më tani, edhe zgjedhja e Presidentit do të bëhet në mënyrë të dhunshme, pa konsensusin e opozitës, dhe ky pastaj do të zgjedhë Prokurorin që kërkon Berisha, pa asnjë reagim nga Meta, i cili ka shumë në dorë të moderojë situatën, edhe për interesin e vet, atëherë alarmi i demokracisë në rrezik do të bëhet edhe më i madh dhe bashkimi, sipas meje, do të bëhej kusht i domosdoshëm për opozitën. Kuptohet se në këtë rast koha e “pastrimit”, e “profilit ideologjik” dhe e “rilindjes” do të shtyhet për kalendat greke, por pa demokraci është vështirë të mund të realizohen edhe gjëra të tilla.
Shtuar më 11/04/2012, ora 01:41
Tage: Panorama

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori