Nga diktatura në postdemokraci
Pëlqej
Albeu.com
Para disa ditësh më tele fonoi një person, i cili m'u prezantua si kryetari i partisë së pensionistëve. Më tha se kishte një shqetësim me rëndësi për të më thënë. Lashë të pi një kafe me të. Kur u takuam, përpara se të më thoshte shqetësimin, më shpalosi programin e partisë së tij që ishte shumë i thjeshtë. Pensionistët janë të nëpërkëmbur me shifrën qesharake të pensioneve që marrin; partia jonë do t'u premtojë atyre një pension prej 60 000 lekësh; pensionistët janë një numër shumë i madh votuesish; ata do të votojnë partinë tonë; ne, kësisoj, do të mund të vimë në pushtet e do të ndryshojmë gjendjen e pensionistëve.
Pastaj kaloi tek shqetësimi. Në përçapjet e tij për të hyrë në zgjedhje kishte zbuluar se Kodi Zgjedhor ia bënte shumë të vështirë partisë së tij hyrjen në zgjedhje. E aty më tregoi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, nga i cili rezultonte se, në bazë të ankimimit të partisë së tij, kjo gjykatë kishte nxjerrë si antikushtetues dy nene të Kodit Zgjedhor. Nga sa kuptova duke i hedhur një sy dokumentit që më tregoi...

vendimi e konsideronte Kodin Zgjedhor në kundërshtim me një nga parimet themelore kushtetuese: atë të barazisë përpara ligjit. Rezultonte se, sipas Kodit tonë Zgjedhor, një parti e vogël, që të mund të regjistrohet, ka nevojë për 10 000 firma, të cilat duhet të jenë të gjitha të noterizuara dhe, duke marrë parasysh se një noterizim kushton minimumi 1500 lekë, vetëm mbledhja e firmave do t'i kushtonte një partie, as më shumë as më pak se 1 500 000 lekë, një shifër jo e vogël kjo për buxhetin e një partie të sapokrijuar, aq më tepër pensionistësh. Dhe më interesantja ishte se kjo shifër, çuditërisht, nuk u kërkohej partive të mëdha. Dhe këtu qëndronte shkelja e parimit kushtetues të barazisë përpara ligjit që kishte gjetur Kushtetuesja, për vendimin e së cilës nuk kisha dijeni se ekzistonte, pasi mediat e kanë injoruar thuajse krejtësisht.
E solla këtë histori për të trajtuar një problem që ky rast e ilustron më së miri, që ka të bëjë me një shqetësim themelor për fatet e demokracisë në kohën që po jetojmë dhe që, për fat të keq, nuk është një shqetësim që e gjen vetëm tek ne, por edhe në vendet e ashtuquajtura demokratike. Madje, le ta filloj prej andej. Ka kohë që në Perëndim vihet re një krizë e institucioneve demokratike, aq sa kjo i ka çuar politologë të njohur si Colin Crouch ta quajnë fazën që po kalojnë sot si "postdemokraci". Çfarë është postdemokracia sipas tij? Ajo karakterizohet nga rritja e madhe e ndikimit të elitave ekonomike në vendimet politike, aq sa janë ato që përcaktojnë prioritetet e jetës publike. Kjo do të thotë, më anë tjetër, pakësim i mundësisë për qytetarët e thjeshtë të marrin pjesë në këto vendime jo vetëm nëpërmjet votës, por edhe nëpërmjet organizimeve të pavarura. Postdemokracia e ruan formën e demokracisë siç janë p.sh. ritualet e zgjedhjeve, si dhe debatet politike në Parlament apo në media, por nuk ruan thelbin e saj: sipas të cilit është zëri dhe interesat e pjesës më të madhe të njerëzve të zakonshëm, që ka ndikimin më të madh në punët e shtetit. Ky çekuilibër, sipas Crouch, ka bërë që politika të bëhet instrument i elitave ekonomike ku të tjerët nuk hyjnë dot, siç ka ndodhur në periudha parademokratike.
Zëri i atyre që thonë se në Perëndim, demokracia ka ardhur duke u mrrudhur, duket se është në rritje. Sipas gjykimit tim, dy janë arsyet kryesore. Së pari, pasi partitë e majta e lëvizjet sindikaliste që impononin politika sociale kanë qenë shumë më të forta dje ndoshta, paradoksalisht, edhe sepse socializmi real i Lindjes qëndronte si kërcënim për të pasurit në vendet perëndimore. Së dyti, pasi mbarimi i Luftës së Ftohtë u shoqërua me globalizmin që gjithnjë e më shumë ka zbehur rolin e shtetit-komb dhe bashkë me të, edhe të politikave sociale të tij, në favor të pushtetit gjithnjë e më të pakontrolluar të shumëkombësheve që veprojnë pa ekzistencën e një shteti global.
Problemi që kemi ne, si shqiptarë, në këtë kontekst është se ne kemi kaluar nga diktatura në postdemokraci, pa kaluar fazën e demokracisë perëndimore: d.m.th. na ka munguar një shtet-komb me parti të majta dhe lëvizje sindikaliste që të impononin politika sociale, si dhe u gjendëm pa asnjë lloj aftësie kompetitive në tregun global, përveçse me krah pune emigrantësh dhe ekonomi kriminale që do të thotë krejtësisht nën mëshirën e elitave shpesh mafioze brenda vendit dhe të investimeve të huaja nga jashtë, jo pa lidhje me njëra-tjetrën. Kjo, sipas gjykimit tim, ka bërë që në Shqipëri të dështojë qysh në lindje ai që Crouch e quan thelbi i demokracisë si një formë shteti ku prioritetet i përcakton shumica. Kategori të tilla si pensionistët apo në përgjithësi shtresat e varfra, nuk kanë pasur kurrë mundësi të mbrojnë interesat e tyre, pasi prioritetet në këtë vend janë përcaktuar së brendshmi nga elita që i kanë diktuar politikës interesat e tyre të pasurimit, dhe së jashtmi nga të huajt që, po për interesa pasurimi e shfrytëzimi, kanë inkurajuar politika në kundërshtim me ato të masës së gjerë të popullsisë vendase. Sa për ilustrim, le të kujtojmë (ndër shembujt pa fund që mund të sillen krahas atij të pensionistëve) se para pak kohësh u aprovua një projektligj, i cili lejon sjelljen e ndotjeve të huaja në Shqipëri me qëllim riciklimi. Shumëkush ngriti pyetjen e thjeshtë: Pse kemi nevojë për plehrat e huaja? A nuk do të ishte më normale të ndërtohej një impiant që do të digjte, pas një procesi ndarjeje, vetëm plehrat e Shqipërisë? Përgjigja është se ky kushton 50 milionë euro, prandaj jemi të shtrënguar të na e ndërtojnë të huajt, të cilët, si kusht për këtë, kërkojnë djegien e plehrave të tyre. Po si ka mundësi që ndërkohë që kemi kaq dëshpërimisht nevojë të ndërtojmë një djegës plehrash, nuk mund të investojmë 50 milionë euro, kur kemi investuar 1 miliard euro në rrugën Durrës-Kukës. Po ashtu, si ka mundësi që Kryeministri vendos të prishë Piramidën dhe të ndërtojë atje një ndërtesë të re të Parlamentit, e cila, sipas kalkulimeve të përafërta, mund të kushtojë afro 50 milionë euro. Shkaku është shumë i thjeshtë: sepse prioritetet në vend i vendosin interesa të tjera nga ato të njerëzve të thjeshtë.
* * *
A mund të dilet nga kjo situatë dhe si mund të dilet? Sot për sot, i vetmi mekanizëm që na jepet për ndryshim janë zgjedhjet. Por pas njëzet vjetësh pluralizëm politik vihet re se ndaj zgjedhjeve, shumica e njerëzve janë bërë gjithnjë e më skeptikë. Pse kështu? Sepse zgjedhje do të thotë mundësi votimi për parti që përfaqësojnë interesa të tjera nga ato të elitave ekonomike brenda dhe të shumëkombësheve jashtë, në mënyrë që interesat e të gjithëve të ekuilibrohen njëfarësoj. Këto parti, ashtu si edhe në Perëndim, do të duhet të ishin parti të majta të cilat për ideologji dhe histori kanë qenë më afër shtresave të varfra. Por, sikurse e thashë më lart, për arsye të dobësimit të shtetit-komb nga globalizimi, i cili, veç tjerash, ka dobësuar edhe sindikalizmin, si dhe për arsye të humbjes së projektit të ndryshimit apo të humanizimit të sistemit kapitalist, edhe partitë e majta në Perëndim janë kthyer gjithnjë e më shumë në parti që i janë adoptuar këtij sistemi, çka do të thotë në përfaqësuese të interesave të të pasurve (ndonëse jo në shkallë të njëjtë me ato të djathtat), e pikërisht për këtë janë në krizë.
Ndërkaq, rasti ynë si vend që doli nga diktaturat lindore është shumë më dëshpërues. Partitë e majta në përgjithësi në vendet ish-komuniste kanë mbetur parti të të privilegjuarve të komunizmit, që janë shndërruar në më të pasurit pas rënies së komunizmit. Në Shqipëri, ky fenomen qe edhe më i dukshëm: të dyja partitë kryesore kanë funksionuar si dy gjysma të Partisë së Punës që u futën në garë dhe vazhdojnë të jenë në garë se cila do ta shfrytëzojë më mirë politikën për të pasuruar klientelën e saj. Madje, nuk është rastësi që të dyja, kur flasin për sistemin politik, i referohen më shumë atij amerikan sesa atij evropian, pasi në atë sistem shumë më tepër sesa në atë europian mungojnë partitë e mirëfillta të majta që gjithsesi, ndonëse në krizë, vazhdojnë të ekzistojnë në Europë. Që të dyja, nga ana tjetër, janë njëlloj në shërbim të çdo projekti investimi që vjen nga jashtë.
Në këto kushte kur këto parti janë rritur e forcuar në pushtet pikërisht nëpërmjet këtyre instrumenteve dhe për këto qëllime, a nuk rrezikon PD-ja apo PS-ja të kthehet si partia e pensionistëve nëse shkëputet nga përfaqësimi i interesave të elitës ekonomike të vendit, që tashmë ka kapur kryesinë e tyre? A nuk rrezikojnë ato të dalin jashtë mediave që përsëri janë në duart e elitës në fjalë? Sigurisht që po, por pa harruar një paradoks, megjithatë, sipas të cilit del se në postdemokraci, shumica voton për interesat e pakicës, pasi shumica e votuesve nuk janë të pasurit. Paradoksi shpjegohet thjesht me faktin e provuar tashmë nga përvoja, sipas të cilit opozita përdor retorikat e interesave të njerëzve të thjeshtë për t'u marrë votën dhe, pasi vjen pushtet, punon për elitat që i kanë sponsorizuar fushatën elektorale. Kështu ka bërë PS-ja kur erdhi në pushtet në 1997-n, kështu ka bërë PD-ja kur erdhi në 2005-n. Në fakt, partitë tona në këtë kontekst të kujtojnë personazhin e Brehtit Mackie Messer "Punë për tre grosh", i cili shfrytëzon një grup lypësish për të realizuar me sukses vjedhjet e tij. Gjithë në këtë kontekst, edhe retorikat perëndimore të të drejtave të njeriut e shumëçka tjetër, tingëllojnë në postdemokraci më shumë si fasada prapa të cilave diktojnë interesat e të pasurve. Në këto kushte, pra, parti të reja nuk mund të dalin sepse s'kanë shans jo vetëm pasi partitë e të pasurve kanë bërë Kode Zgjedhore si ai i yni, që e nxorën jashtë partinë e pensionistëve, por edhe pse fushatat elektorale janë bërë gjithnjë e më të shtrenjta e gjithnjë e më televizive, çka nënkupton se janë gjithnjë e më shumë në duart e të pasurve dhe mediave të kontrolluara prej tyre. (Nuk po flas për shoqërinë civile si forcë kundërvepruese apo ndikuese në vend, sepse ajo nuk ka mundur të ngrihet më lart se grupime të vegjël individësh në shërbim të njërës apo tjetrës parti.) Atëherë, e përsëris pyetjen, si do të mund të kalonim nga postdemokracia në demokraci?
Shtrimi i vetë pyetjes nënkupton se ka një rrugëzgjidhje, të cilën duhet ta gjejmë përderisa jemi në një pikë që shumicës nuk i pëlqen. Por mund të thuash edhe se nuk ka rrugëzgjidhje, duke pranuar se ky është statusi normal i gjërave në një botë ku ka pasur gjithnjë të pasur dhe të varfër. Gjykoj se për sa i përket Shqipërisë, e cila vuan nga një provincializëm i thellë, (dhe ka probleme më të rënda për të zgjidhur, siç janë ato të korrupsionit, të mungesës së drejtësisë, etj.) kjo e dyta është më e vërtetë. Ndërkohë që bota po sheh rrezikun në rritje të postdemokracisë në Shqipëri vihet re një vonesë përsa i përket ndërgjegjësimit të kësaj problematike, madje postdemokracia perëndimore shitet nga elita pseudo-intelektuale në vend si idealja ose si arritje e një statusi, të cilit tashmë duhet t'i adoptohemi.
Prandaj, gjykoj se vendimtare në këtë kontekst për Shqipërinë do të jenë ndryshimet nga jashtë. Kur flas për këto, kam parasysh se për ato shoqëri që kanë ushqyer idealet e demokracisë, të lirisë dhe barazisë, kthimi nga postdemokracia në demokraci është tashmë një çështje e shtruar për zgjidhje në një kontekst të ri, që është ai i globalizimit nga i cili s'del dot as Shqipëria. Këto ndryshime do të vinin në formën e ndërtimit të institucioneve globale, që do të siguronin kontrollin e abuzimit me pushtetin të elitave ekonomike, lokale dhe ndërkombëtare, në emër të interesave të shumicave të nëpërkëmbura prej tyre; që do të bënin të mundur, pra, që prioritetet politike të vendosen në emër të interesave të shumicës. Dhe besoj se këto ndryshime do të vijnë, ndoshta edhe pas krizash më të thella se kjo që po kapërcen sot sistemi kapitalist botëror, ndoshta edhe pas rrudhjesh, tërheqjesh apo disfatash të përkohshme.
Shtuar më 18/11/2010, ora 09:28
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori