Arsimi edhe me tej "thember Akili" në shoqërinë kosovare
Pëlqej
Albeu.com
1. Çka është Deklarata e Bolonjës?

Deklarata e Bolonjes, një formë dhe përmbajtje e re e shkollimit të lartë është nënshkruar në vitin 1999 që në fakt për synim përveç tjerash kishte edhe: unifikimin e sistemit të edukimit dhe arsimimit evropian, i cili do të duhej që deri në fund të vitit 2010 të marr formë dhe përmbajtje të atillë që në vija të trasha do të sugjeronte kahet dhe përcaktimet e edukimit dhe arsimimit të gjithmbarshëm evropian. Gjithashtu deri më sot kuptojmë që këtë deklaratë e kanë nënshkruar mbi 46 vendet evropiane, ndërsa edhe më tej si synim afatgjatë përveç tjerash ka: Sistemin Evropian të Bartjes së Kredive (SEBK apo në anglisht (ECTS- European Credit Transfer System”,): miratimin e strukturës së re të studimit (që duhet të përfshijë patjetër tri cikle të shkollimit: BA, MA, PhD): një shkallë të lartë mobiliteti të mësimdhënësve dhe studentëve (ku kërkohet angazhim dhe koncentrim qind për qind i studentëve dhe mësimdhënësve në procesin mësimor): shkallë më të lartë të autonomisë së fakulteteve në proceset hulumtuese të fenomeneve dhe dukurive në shoqëri(që në rastin e Universitetit shumë pak mund ta hassëh!?): promovimin e lëvizshmërisë (ku studentët mund të dëgjojnë psh. një semestër jashtë vendit dhe t’u pranohet atyre e drejta e vazhdimit të semestrit tjetër në vendin e tij): shtojcën e diplomës (ku realisht duhet të figurojnë: numri. i kredive, numri i lëndëve, kompatibiliteti i tyre me lëndët në universitetet tjera jashtë vendi, etj.): mësimdhënien e menaxhuar në kohë (ku realisht instalohet shkurorëzimi definitiv me mënyrën e vjetër excathedra të ligjerimit, ku: profesori flet 50 deri 90 minuta, kurse studentët nga lodhja dhe monotonia fillojnë të flejnë?!)

2. Cilat ishin qëllimet dhe të priturat Bolonjes?
Ideja kryesore e sistemit edukativ të Bolonjes, padyshim që ndërlidhet me; lehtësimin e mënyrës se studimit si edhe shkurtimin e kohës së studimeve, pra një procesi të tërë procedurash jo formale, të cilat në fakt do duhej mundësonin: a) përpjekjet apo angazhimin permanent të studentëve në procesin e vjeljes së dijes nga më të ndryshme: b) gatishmërinë e tyre për të organizuar në mënyrë të pavarur hulumtime empirike mbi fenomenet dhe dukuritë shoqërore: c) e sidomos, aftësimin e tyre për të përzgjedhur metodat adekuate për mbledhjen, përpunimin, analizën dhe interpretimin e të dhënave apo të gjeturave nga terreni. Mirëpo, cështja është se sa në fakt po gjejnë shprehje praktike dhe pragmatike, si edhe sa po ndërlidhën me objektivat dhe rezultatet e pritura këto procedura dhe kritere? Duhet rikujtuar që ato kanë të bëjnë kryesisht me: a) njohjen dhe përdorimin e metodave dhe teknikave të ndryshme hulumtuese: b) zbatimin adekuat të kritereve shkencore së bashku me parimet etike që janë alfa dhe omega e realizimit të këtyre hulumtimeve empirike. Gjithësesi problemi kyq kisha me thënë tek ky tip sistem edukimi në ambientin tonë Kosovar është ai i interpretimit të tij kur janë në pyetje mënyra absorbimit të kësaj dije dhe të qenurit e saj në koherencë me dijen dhe standardet bashkëkohore, pra mjeshtrinë e bartjes dhe cilësinë e të kuptuarit logjik të materies që shpjegohet dhe ligjerohet nga mësimëdhënësi.

3. Cka dëshmojë një studim?Një studim i organizuar nga studentet e departamentit të sociologjisë, vitin e kaluar ka dëshmuar se sistemi i ligjërimit dhe ai ushtrimeve në realitet është bërë një rutinë e llojit të vetë, ngase askund nuk vërehet përparimi në kuptimin e një debati të ngjeshur, sidomos në nivelin Master ku dosido do të duhej përveç tjerash studentët të arrijnë në mënyrë të pavarur të dinë të organizojnë dhe menaxhojnë projekte të tëra hulumtuese nga terreni, në mënyrë që të gjeturat empirike të shfrytëzohen jo vetëm si alibi për të marrë një notë kaluese, por edhe për të krahasuar limitet dhe bazën e studimit me proceset që ndodhin në shoqërinë kosovare. Zaten, studimet empirike si qëllim dhe si nevojë kanë pikërisht këtë intencë. Në anën tjetër, si një ndër mëkatet apo vërejtjet tjera që mund t’i adresohen sistemit arsimor të Bolonjës (sidomos në fillim të pasluftës e këndej), ka të bëjë me hapësirën apo mundësinë e keqinterpretimit të disa nga paragrafët që ai u ofroi disa fakulteteve në Universitetin e Prishtinës. Në realitet, të gjeturat empirike të studentëve, dëshmuan se këto fakultete (apo drejtime) e kishin ashpërsuar tej mase kriterin e notimit, me të vetmin arsyetim (natyrisht të pa thënë në publik?!) që një numër i studentëve të kalojnë në statusin e vetëfinancimit! Çka është edhe më tragjike në gjithë këtë (ta quajmë shlirë edhe skandal!) odisejad të këtyre drejtimeve, përsëritja e vitit askund nuk ishte paraparë!?

4. A po dështon Bolonja në Kosovë?
Studimi (me metodën e intervistave të thella) dëshmojë se: për studentët që kanë kryer sistemin katërvjeçar të shkollimit, sistemi bachelor është një dështim i llojit të vetë edhe për shkakun se krahasimi që ata bënin kryesisht kishte të bënte si me materien obligative (sidomos në literaturë) të leximit si kusht për të jap një provim të caktuar, ashtu edhe me me mënyrën e mbamendjes dhe pregaditjes së materies për provim. Më ka rastisë të lexojë në intervistat e tyre edhe opinione të tilla si kjo:” Ky sistem i shkollimit e ka degraduar në të gjitha aspektet dimensionin e arsimimit dhe sidomos atë të edukimit”, “ Hej kolegë e kuptoni se çfarë dmth. në të kaluarën kishte posedimit i prefiksit magjistër”, ose:” Perceptimi i kësisojit i bazuar në indikatorët empirikë, na tregon qartazi se për ta aplikimi i sistemit të Bolonjes në një mënyrë e ka devalvuar si dijen ashtu edhe arsimimin me faktin se: s’bëhet pothuajse askund testimi i studentit me gojë, pastaj kalueshmëria e studentëve asnjëherë nuk e arrin kuotën e 50% të studentëve që hyjnë në një provim(kurse në Universitetin tonë, ne kemi shumë raste dhe profesor që kuota e kalimit s’shkon as 10%?!). Gjithashtu është e ditur që me këtë sistem arsimimi i lartë, duhet të çmohet apo edhe të merret si kriter edhe qasja e studentëve në debate aktive, ku përmes kryqëzimit të pyetjeve dhe përgjigjeve arrihet aktivizimi i asaj pjesës kreative të studentit. Poashtu, në bazë të metodologjisë dhe referencave të këtij niveli, në rastin e hulumtimeve të reja të dukurive dhe fenomeneve kosovare kemi kuptuar që kjo pjesa kreative e të menduarit, mund të adresoje disa hapa tejet të rëndësishëm në procesin e shndritjes së shkaqeve dhe pasojave të disa nga sjelljet devijante që janë evidente në shoqërinë tonë. Këta hapa, kanë të bëjnë me: a) përcaktimin i qëllimit të punës para dhënies së instruksioneve: b) idenë e kërkimit të përgjegjësisë maksimale të studentëve për punën e bërë në teren përmes një monitorimi permanent: c) definimin i një hapësire të duhur kohore për konsultime dhe debate rreth temës investiguese: d) përkrahen e studentëve edhe në rastet kur ata nuk janë në “tokë të bukës” (në kuptimin kur edhe gabojnë).

5. Çka duhet bërë dhe ku është zgjidhja?
Për të kuptuar të gjitha të metat dhe eventualisht përparësitë e sistemit të edukimit dhe arsimimit të Bolonjës, padyshim që mendojë se na duhet një debat i gjerë kualitativ publikë midis: Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Rektoratit, Parlamenti Studentor, qarqeve akademike, si edhe grupeve të ndryshme në mënyrë që të rishikohen dhe detektohen saktësisht defektet dhe shkaqet e (mos)zbatimit. Gjithashtu, duhet parë, nëse faji është tek sistemi i Bolonjës, aplikimi i këtij sistemi në jetën praktike, apo tek bartësit (studentët, profesorët dhe stafi udhëheqës). Nëse analiza (që do të dal nga ky debat publik) dhe eksplorimi shkencor apo hulumtimi i shkaqeve dhe pasojave të instalimit të këtij sistemi edukativo-arsimor, dëshmon që nuk është në përputhje me nivelin tonë të emancipimit, kujtojë që duhet të rishqyrtohet mundësia e revidimit të këtij sistemi në Kosovë. Tek e fundit nuk do të ishte diçka e re poqese kërkohet ndërrimi i këtij sistemi, ashtu sikurse kanë kërkuar studentët gjermanë, austriak, zviceran apo ata francezë.
Një ndër arsyet e forta, për mendimin tim për një kërkesë të këtillë padyshim të revidimit të sistemit të arsimit sipas Deklaratës së Bolonjes, do të duhej adresuar shkaqeve të natyrës së: një ekspansioni jo selektiv të arsimimit në Kosovë tash e dhjetë vite me radhë që arriti të krijojë një ushtri të tërë të analfabetësh teknologjik dhe të papunësh në tregun e dijes: si edhe procesit jo konkurrues të shkollimit që ofron shteti dhe kolegjet private: së bashku me pamundësinë e punësimit në tregu e punës në rajon.
5. Ku përputhen arsimimi bashkëkohor me deklaratën e Bolonjes?
Arsimi kosovar sot për sot është duke iu ekspozuar një rreziku evident i cili ka të bëjë me karakterin stihik, ngase thjesht ai nuk është në shërbim të interesave nacionale të vendit, siq është në vendet e rajonit. E themi kështu edhe për shkak se mania që ka kapluar Kosovën viteve të fundit për të poseduar domosdo një diplomë universiteti, pa ndonjë mbikëqyrje dhe udhëzim adekuat nga ana e institucioneve përkatëse siç janë psh ai i akreditimit, dhe institucioneve tjera shtetërore, lehtë mund të marr epitetet e një fetishi që detyrimisht na qon edhe kah mënyra jo legale e marrjes se certifikatave dhe diplomave falso, siç ishin rastet në fakultetin e Pejës ku pas luftës morën kush deshi dhe sa mundi!
Pra, shitja thënë më thjeshtë e diplomave universitare, në një aspekt e devalvon edhe rëndësinë e arsimit si tërësi e që më pastaj ky devalvim shumë lehtë shndërrohet edhe në krizë të gjithmbarshme shoqërore dhe me pasoja afatgjata.
Arsimimi bashkëkohor në parim do të duhej të shndërrohej në një proces bashkëpunimi, zgjerimi të dijes si dhe vënie të raporteve të tilla shoqërore, ku dija shkencore nuk mund të absorbohet pa zhvillimet e reja teknologjike që instalohen përmes hulumtimeve shkencore nëpër institute dhe qendra të ndryshme eksploruese, e qe në universitetin e Prishtinës mund t’i numërosh në gishta.
Themi kështu edhe për shkak se arsimimi bashkëkohor në fakt e “zbulon” afinitetin e studentit për të menduar në mënyrë kreative, që nënkupton iniciativat personale të mësuarit të vetive dhe specifikave të fenomeneve që ai merr për bazë hulumtuese, e njëkohësisht edhe interpretimin e tyre me parametra shkencorë. Pa këto standarde, sidomos në nivelin master dhe atë doktoranturës, ne as që mund të krenohemi se jemi në trend dhe koherencë me zhvillimet dhe proceset arsimore rajonale e globale.
Shtuar më 29/03/2012, ora 13:15
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori