Rama udhëton drejt Izraelit, takim me kryeministrin dhe presidentin

Kryeministri i vendit, Edi Rama ditën e sotme do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Izrael.

Burime bëjnë me dije se kryeministri është nisur drejt Irzaelit, ndërsa në fokus të takimeve zyrtare do jenë sulmet kibernetike nga Irani.

Kreu i qeverisë do të zhvillojë takim me homologun izraelit Yair Lapid, presidentin Isaac Herzog, kryetarin e Kuvendit Mickey Levi dhe liderin e opozitës Benjamin Netanyahu.

Rritja e numrit të sulmeve kibernetike që janë kryer nga Irani kundër Shqipërisë ka çuar në tensione mes dy shteteve, ndërsa Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet me Iranin në shtator.

Sulmi i parë kibernetik ndodhi në korrik, kur u sulmuan portalet shtetërore të shërbimeve online, të cilat nuk funksionuan për 4 ditë.

Më 10 shtator hakerat iranianë sulmuan sistemin TIMS. Irani nuk e fshehu se kishte gisht në këtë sulm pasi në kompjuterët e policëve në pikat e kalimit kufitar shfaqej mesazhi: “Shqipëria ende po paguan për aktet terroriste të kultit MEK në Durrës dhe kjo lojë do të vazhdojë”. Pasi u konfirmua se sulmi ishte ndërmarrë nga qeveria iraniane, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin.


Shtuar 23.10.2022 10:40